Opinion

Iku Skenda!

Shkruan: Bajram MJEKU

Në Kabinetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot u bë pranim-dorëzimi i detyrës midis ministrit në ikje Skënder Hyseni dhe atij në ardhje, Flamur Sefaj.
Me Skënder Hysenin gjatë okupimit, kam punuar plot tetë vjet në Qendrën për Informim të Kosovës. Sot, kur Hyseni po linte detyrën, nuk mund të imagjinoja se si gjatë tre vjetëve sa ishte në krye të këtij dikasteri, nuk denjoi, më saktë nuk guxoi nga padronët e tij të na ftonte as edhe për një kafe, pasi në postin e ministrit u emërua me kushtin e vetëm; të mos bëj asgjë gjatë mandatit të tij!
Në çastin kur Hyseni dorëzoi detyrën, në sytë e zyrtarëve të partisë, të cilët votuan Hysenin për të ardhur në krye të këtij dikasteri shihja ngazëllim! Paradokse të këtilla ndodhin vetëm në Kosovë.
Skënder Hyseni dhe këshilltarët e tij politikë (përjashto njërin nga ata), i kanë bërë dëme këtij institucioni të rëndësishëm, për mungesë guximi e profesionalizmi. Këto dy elemente kryesore gjatë tre viteve të fundit, u zëvendësuan me injorancë e prepotencë nga Hyseni dhe vartësit e tij.
Lidhja Demokratike e Kosovës, është mirë që gjatë 100 ditëve të para të Qeverisë Haradinaj, të mos merret me këtë të fundit, pasi nuk është as institucionale, as dinjitoze për një parti historike.
Kur një parti politike mbetet në opozitë, nuk është fundi i botës, por t’i pretendojë pozitat më të larta të shtetit me njerëz joprofesionistë, është fatkeqësi për shtetin.
Tash në opozitë, LDK ka komoditet t’i nisë reformat, më saktë t’i zgjedhë dalzotësit në krye të saj.
Më mirë vonë se kurrë…

Komentoni