Kosova

IKSN: Sivjet është rritur numri i kosovarëve që i janë bashkuar ISIS-it

Ndonëse institucionet e sigurisë kanë ndërmarrë veprime të shumta për t`i parandaluar kosovarët që t`i bashkohen organizatave terroriste si ISIS, një hulumtim që është bërë nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, paraqet dyshime se gjatë vitit 2016 është rritur numri i kosovarëve që i janë bashkuar radhëve të ISIS-it. Sipas një raporti të këtij instituti, një numër i konsiderueshëm i kosovarëve kanë udhëtuar drejt Sirisë, vetëm një muaj më parë.

Dyshohet se gjatë vitit 2016 është rritur numri i kosovarëve që i janë bashkuar radhëve të organizatës terroriste ISIS. Kështu thotë një raport i publikuar nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, i cili vjen pas anketimit të mbi 3 mijë e 700 qytetarëve të vendit.

Në terren ky institut thotë se ka siguruar të dhëna që konfirmojnë udhëtimin e një numri të konsiderueshëm të kosovarëve drejt Sirisë, vetëm një muaj më parë.

“Shqetësimi më i madh ka dalë të jetë organizimi i një udhëtimi drejt Sirisë i një grupi të konsiderueshëm i cili dyshohet se nga Kosova ka udhëtuar për në Mal të Zi më datat 1, 2 dhe 3 Shtator”, tha Bedi Elezi nga Instituti për Studime Ndërkombëtare.

Elezi thotë se të tjera shkuarje ka pasur edhe gjatë qershorit e gushtit, periudhë kjo në të cilën dyshohet se drejt Sirisë janë nisur 5 persona.

Një shqetësim tjetër i qytetarëve është edhe dyshimi për përfshirjen e shërbimeve të huaja inteligjente në shtrirjen e këtij fenomeni në Kosovë.

 Instituti ka nxjerrë detaje edhe për përfshirjen e agjencisë sekrete të vetë ISIS-it në shtrirjen e këtij fenomeni, duke rekrutuar njerëz të zgjedhur.

 Por nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të shërbimit korrektues në Kosovë, Sokol Zogaj, thotë se deri tash burgjet janë të sigurta.

“Rreziku është gjithmonë permanent. Ne nuk thojmë që siguria është në burgje e na me flejt. Rreziku është mbrenda e jashtë. Nuk është mirë që të fryhen situatat. Nuk po themë që s’ka rrezik, po për momentin probleme të mëdha nuk kemi”, tha Zogaj.

Gjatë diskutimit të hapur, pjesëmarrësit kritikuan institucionet e sigurisë për mosreagim përballë situatave të caktuara.

“Ne si shoqëri i kemi neglizhuar duke menduar se është një modë kaluse dhe kemi mendu se do të minimizohet, por kjo merr hapa”, tha analisti Agim Musliu.

“Jo vetëm që institucionet e Kosovës i kanë ditur këto gjëra, por unë mendoj se ka qenë një tolerim duke i lejuar të investojnë”, tha Valdon Bytyqi nga Shoqëria Civile.

Të dhënat e paraqitura në këtë konferencë, Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, thotë t`i ketë mbledhur në periudhën mars-shtator të këtij viti. /rtk/

Komentoni