Kosova

IKShP: Situata epidemiologjike me fruth është nën kontroll

Instituti Kombëtar i Shëndeti Publik i Kosovës, sonte, pas vdekjes së një foshnje 15 muajsh në QKUK nga fruthi, ka publikuar një komunikatë për situatën epidemiologjike të fruthit në Kosovë.

Sipas komunikatës, situata epidemiologjike me fruth në Kosovë është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Më poshtë lexoni tekstin e komunikatës:

“Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit. Sipas statistikave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve, janë vaksinuar, sukses ky që ka parandaluar epidemitë për 10 sëmundje vaksinë preventabile.

Fruthi, është një nga sëmundjet, që falë vaksinimit, nuk kishte shënuar epidemi në Kosovë. Por, këtë vit, megjithatë janë shënuar 94 raste raste të fruthit të diagnostikuara në laboratoret e Institutit Kombëtar. Pjesa dërmuese e rasteve të fruthit janë regjistruar në komunitetin RAE dhe fëmijët e riatdhesuar që të gjithë të pavaksinuar.

Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit me vaksinën MMR është i obliguar me Ligj dhe i nënshtrohen të gjithë fëmijët e moshës 12 muajshe dhe ajo 6 vjeçare me 1 dozë prej 0.5ml. Nëse fëmija nuk është vaksinuar në periudhën kohore të caktuar, prindi është i obliguar të kompletojë statusin vaksinal të fëmijës sa më parë. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik për vaksinim.

Sëmundja e fruthit karakterizohet me shkallë të lartë të infektueshmërisë andaj edhe përhapja brenda territorit të caktuar është e shpejtë. Rreziku ndër-shtetëror i importimit të sëmundjes nga vendet fqinje dhe vendet e Europës është permanent pasi që sëmundja përhapet me ajër.

Viteve të fundit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar nga shkaku se nuk janë vaksinuar me rregull. Në shumë vende të Europës janë regjistruar të sëmurë dhe të vdekur nga Fruthi: Rumani 5920 raste me 25 vdekje, Itali 1290 raste, Gjermani 504 raste, Belgjike 218 raste, Danimarkë 134 raste, Çeki 92 raste, Austri 75 raste, Bullgari 72 raste, Spanjë 46 raste.

Në vitin 2011, miratohet plani strategjik për vaksinim të grupeve vulnerabile të popullatës veçënërisht të komunitetit RAE. Fokusi është vaksinimi me MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) dhe OPV vaksina kundër paraliës së fëmijëve. Në vazhdimësi janë organizuar fushata të vaksinimit të fokusuara në këto grupacione të popullatës. Që nga paraqitja e rastit të parë të fruthit janë intensifikuar aktivitetet për vaksinim me MMR vaksinë dhe atë:

Vaksinimi i rregullt i fëmijëve të bëhet në moshën 10 muajshe (mos të pritet 12 muajsh i jetës)

Fëmijët deri në moshën 9 vjeçare të kenë / 2 doza MMR (fruth, shyta, rubellë)

Fëmijët e shkollave të vaksinohen sa më parë

Sidoqoftë, ata fëmijë të cilët janë vaksinuar me kohë sipas kalendarit të vaksinimit nuk do të sëmuren nga Fruthi dhe nga sëmundjet tjera vaksinë preventabile.

Situata epidemiologjike me fruth është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Duke qenë se po hyjmë në stinën e ftohtë të dimrit, kur qytetarët mblidhen në dhoma të ngrohta, të pa ajrosura, mundësia e përhapjes së fruthit rritet, por gjithnjë vetëm te fëmijët e pa vaksionuar.

Të gjithë ata fëmijë të vaksinuar me rregull nuk do të sëmuren nga fruthi!

Instituti Kombëtar në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksinë preventabile. dhe po implementon masat parandaluese e kontrolluese.

Përmes aktiviteteve të veçanta, Instituti Kombëtar dhe QKMF-të bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme po tenton të gjejë të gjithë fëmijët e komunitetit RAE të cilët një numër i tyre janë regjistruar me identitet të ndryshëm në Kosovë dhe identitet tjetër kur lëvizin në vendet fqinje!

Andaj, apelojmë te të gjithë prindërit të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë .

Lusim Televizionin Publik të Kosovës që këtë apel ta emitojë edhe në gjuhën serbe, turke dhe rome. Lusim të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike të publikojnë këtë apel në hapësirat e tyre.

Komentoni