Uncategorized @sq

Ikja nga Kosova, realitet apo propagandë? (Video)

Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku, ka thënë se së fundmi interesimi i qytetarëve për shkuarje në Serbi ka qenë më i theksuar se i ditëve të mëparshme. Por, ai ka theksuar se interesimi ka qenë në nivelin e kureshtjes së njerëzve për të parë se çfarë po ndodh.

Çitaku ka treguar se linjat Prishtinë-Beograd janë të rregullta, dhe se autobusët drejt kryeqytetit serb nisen tri herë në ditë.

“Interesimi i qytetarëve ka qenë më i theksuar sesa në ditët e mëparshme. Unë mendoj që interesimi ka qenë dhe ka mbetur në nivelin e kureshtjes së njerëzve për të parë se çfarë po ndodh”, ka thënë Çitaku në RTK.

“Numri i qytetarëve që kanë udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Beogradit për më tutje, ka qenë rreth 15 vetë më tepër se në javët, gjegjësisht muajt e kaluar”, ka bërë të ditur ai.

“Duhet të theksuar se këto linja të rregullta nuk e kanë pikënisjen nga stacioni i autobusëve në Prishtinë, por nisjen e kanë nga komunat e tjera, dhe kalojnë nëpër Prishtinë, dhe marrin numër të udhëtarëve që blejnë bileta në stacionin tonë”, ka treguar Çitaku.

I pyetur se a janë shitur së fundmi më shumë bileta se zakonisht për Beograd, ai ka thënë se rritje e numrit të biletave të shitura ka pasur vetëm të mërkurën.

“Rritje të numrit të biletve kemi pasur vetëm mbrëmë. Por, edhe ato, një numër i tyre, janë kthyer gjatë ditës së sotme”, ka treguar Çitaku.

I pyetur për qytetarët që janë parë ditëve të fundit në Stacionin e Autobusëve, ai ka thënë se bëhet fjalë kryesisht për njerëz kureshtarë.

“Kryesisht njerëzit kanë qenë kureshtarë, duke mos përjashtuar edhe grupe të caktuara të të rinjve që, pas shikimit të kamerave, është vërejtur që në tri netët e kaluara, një grup prej 15-20 personave kanë qenë të njëjtët në të tri netët, dhe ata bëjnë lëvizjet e akorduara apo të çakorduara, bëjnë frymëzimin e të rinjve për t’u nisur drejt Beogradit”, ka thënë Çitaku.

Komentoni