KosovaToplajm

IDK: Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor shkelës të ligjit

Instituti i Drejtësisë për Kosovën, ka kritikuar në një raport të saj, Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor për siç theksoi veprimet e kundërligjshme. Këshilli prokuroria, sipas hulumtimit që nga shkurti i këtij viti është duke vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi që një anëtar i këtij këshilli, Idain Smajli po vazhdon punën përkundër asaj që ka përfunduar mandatin pesë vjeçar. Ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vendimet e kundërligjshme po cenon rëndë paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të rekrutimit të gjykatësve.

Një nga hartuesit e këtij raporti, Ehat Miftaraj, ka akuzuar anëtarin e Këshillit Prokurorial, Idain Smajli pasi është duke e ushtruar mandatin edhe për kundër faktit që me ligj është përcaktuar që mandati këshillit është 5 vite, ndërsa, ky anëtar tani më ka hyrë në vitin e 6 që e ushtron këtë funksion.

“Vetë fakti që zoti Smajli ushtron mandatin jashtë asaj që është përcaktuar me ligj edhe pse kanë kaluar 5 vite ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin dhe ligjshmërinë e sistemit të Këshillit Prokurorial të Kosovës’’, tha Miftaraj.

Kurse hulumtuesja tjetër, Diana Berisha, tha se zyrtarët brenda sistemit prokurorial për interesa të ngushta dëmtojnë në veçanti imazhin e tërë sistemit prokurorial në Kosovë, dhe po ashtu sundimin e ligjit në përgjithësi.

“Si institut vlerësojmë se ky vendim për vazhdimin e këtij anëtari të KPK-së nuk duhet të interpretuar si fillim i mandatit të ri nga 1 janari 2013, pra, kur është miratuar ligji mbi Prokurorin e Shtetit por i njëjti duhet interpretuar që nga vazhdimi i mandatit kur kishte filluar Idain Smajli, 15 shkurt 2011. Sipas ligjit anëtari i Këshillit Prokuroiral, Smajli më datë 15 shkurt 2016, i ka përfunduar mandati i anëtarit prej 5 vite. Edhe përkundër këtij fakti ky prokuror vazhdon të ushtroj mandatin e tij në mënyrë të kundërligjshme’’, tha Berisha.

Gjithashtu një tjetër hulumtues, Valdet Hajdini, ka përmendur edhe një rast të Këshillit Gjyqësor i cili ka shpallur konkurs për gjyqtarë, duke thënë se i vë në pozitë të pabarabartë kandidatët të cilat kanë hyrë në tekst më herët.

“Vendimi i fundit i datës 28 tetor 2016, bie në kundërshtim me qëllimin dhe veprimtarinë me të cilën është hartuar kjo rregullore e bie gjithashtu në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare të cilat përcaktojnë se të gjitha vendimet lidhur me karrierën profesionale të gjykatësve duhet të bazohen në kritere objektive dhe në kualifikim dhe në integritetin e kandidatëve për gjyqtarë – tha Hajdini”. /KI/

Komentoni