Bota

IAEA: Irani operon në harmoni me marrëveshjen atomike

Irani po operon brenda kufizimeve esenciale në aktivitetet e veta atomike, të cilat ishin imponuar në marrëveshjen e vitit 2015 me gjashtë fuqitë botërore, thuhet në raportin e publikuar mbrëmë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) të Kombeve të Bashkuara.

Në raportin konfidencial tremujor të kësaj agjencie, që është parë nga disa agjenci perëndimore të lajmeve, theksohet se Irani “nuk e ka pasuruar” uraniumin mbi nivelet e ulëta dhe se sasitë e depozituara të uraniumit të pasuruar janë nën kufizimin e pajtuar prej 300 kilogramësh.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për prodhimin e armatimit atomik.

Agjencia IAEA, po ashtu, ka theksuar se inspektorët nuk janë ballafaquar me vështirësi në hyrjen në vendet që ata kanë dashur t’i vizitojnë.

Ky është raporti i parë i agjencisë IAEA, prej se presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar ta certifikojë marrëveshjen muajin e kaluar, duke e akuzuar Iranin se “nuk po vepron në harmoni me frymën” e marrëveshjes.

Lëvizja e tij, megjithatë, nuk do të thotë largim të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja, pasi për këtë çështje duhet të vendos Kongresi amerikan.

Komentoni