Kosova

I rekomandohet Qeverisë që sa më shpejtë që të jetë e mundur të formojë Komitetin për MSA-në

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i këtij Komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Me këtë rast, Komisioni diskutoi lidhur me përgatitjet e agjendës së takimit të dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE, i cili do të mbahet me datë 23 dhe 24 nëntor, në Bruksel. 

Në fillim të këtij takimi, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, ndërkaq, kryetari i komisionit Haliti, vuri në pah qëndrimin e përfaqësueseve të BE-së lidhur me këtë çështje. 

Ai njoftoi se gjatë takimit që kishte pasur me zv. kryetaren e PE-së, Ulrike Lunaqek, me kryetarin e Komisionit të PE-së për Integrime Evropiane, Tonino Picula si dhe raportuesen e posaçme të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i është thënë se kushti i vetëm për Kosovën, e që lidhet me liberalizimin e vizave, është votimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë, Haliti në vijim vlerësoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, ndërkaq, e konsideroi të panevojshëm kushtëzimin e Kosovës me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Për këtë çështje folën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, ku u vunë re mospajtime të thella ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe të atyre të koalicionit qeverisës.

U vijua më pas me përgatitjet për takimin e radhës ndërmjet Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE.

Lidhur me këtë, Komisioni fillimisht i rekomandoi Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë që të jetë e mundur të formojë Komitetin për MSA-në.

Po ashtu, Komisioni i rekomandoi Ministrisë së Punëve të Jashtme që të merret me rregullimin e Statusit Protokollarë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE.

Anëtarët e komisionit shprehën përkushtimin e tyre që në këtë takim të marrin pjesë sa më të përgatitur lidhur me temat që do të diskutohen me atë rast. /KI/

Komentoni