Kosova

Hyseni: Brenda një viti asnjë rast i shkuarjes së kosovarëve në luftërat e huaja

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Skender Hyseni, në kuadër të takimeve nëpër rajonet e Kosovës, sot ka përmbyllur takimet në Prishtinë me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së këtij rajoni, ku u diskutua për “Trafikimin me qenie njerëzore, përdorimi i drogave dhe parandalimi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpien në terrorizëm”.

Ministri Hyseni fillimisht falënderoi të gjithë anëtarët e këtij rajoni për pjesëmarrje dhe e vlerësoi angazhimin që po e bëjnë në përmirësimin e sigurisë së përgjithshme në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.

Më këtë rast ministri Hyseni theksoi se këto takime po bëhen me qëllim që të gjithë së bashku të angazhohemi në parandalimin e trafikimit me njerëz dhe parandalimin e lypsarëve, sidomos fëmijëve.

“Tregtaret me njerëz e ndjenjë veten pronar të viktimave që trafikojnë. Sheshet e Kosovës janë të mbushur me lypsar dhe mbrapa tyre qëndrojnë bosët. Ata vinë nga jashtë Kosovës ne nuk duhet t’i mbyllim sytë, por duhet ta luftojmë ketë dukuri. Ne duhet të mobilizohemi që trafikantët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar dhe jo dënime qesharake siç kanë marr deri tash”, theksoi ministri Hyseni.

Ministri Hyseni shprehi shqetësimin lidhur ne numrin e shtuar të përdoruesve dhe të trafikimit të narkotikëve dhe drogave. Ai tha se përdorimi i narkotikëve dhe drogës është shqetësues, sepse numri i tyre është duke u rritur dhe kryesisht në shkolla të mesme, ku mesatarja e fëmijëve që fillojnë përdorimin e narkotikëve është 16-18 vjeç.

Ndërsa sa i përket parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit, ministri Hyseni theksoi se luftimi i kësaj të keqe është dëshmia më e mirë qe nëse funksionon çdo hallkë zinxhirore e institucionale mund të parandalohet.

“Që një vit s’ka pasur asnjë rast të shkuarjes të asnjë kosovari në luftëra të huaja. Sot e kemi një gjendje në këtë fushë që mund të krenohemi, por assesi të ndjehemi komod”, tha Hyseni.

Situata e përgjithshme e sigurisë në rajonin e Prishtinës u vlerësua shumë e mirë dhe u konstatua se në bazë të takimeve me këshillat komunale për siguri është bërë një punë shumë e mirë në parandalim të shumë dukurive negative. /KI/

Komentoni