Kosova

Hysen Durmishi: Me 22 tetor, kryetar i Therandës do të jetë Salih Zyba

Në tubin zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Therandë, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm dhe Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi, ka thënë se 22 tetori do ta gjejë Therandën  me kryetar të ri, emri i të cilit është Sali Zyba.

Teksa ka folur për kandidatin për kryetar të Therandës, Sali Zybën, ai ka përmendur kontributin e tij në luftën në Kosovë, Preshevë e Maqedoni. Zybën e ka quajtur idealist të pathyeshëm.

“Prandaj, me 22 tetor, të bëhemi të gjithë bashkë dhe të votojmë, të votojmë në mënyrë masive të gjithë për numrin dhjetë, të votojmë për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, të votojmë për Salih Zyben dhe për kandidatët tanë për Kuvendin Komunal”, ishte porosia e Durmishit në Therandë.

Albulena Haxhiu: Modeli i mirë i qeverisjes në Prishtinë i duhet edhe Therandës

Duke e quajtur Therandën vend të punës e dijes, e duke folur për kontributin e sakrificën e e therandasve ndër vite, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka filluar fjalën e saj në tubimin zgjedhor të VV-së në këtë komunë.

Deputetja tha se Theranda nuk e ka merituar qeverisjen e Sali Asllanit, por që asaj i duhet një kryetar që i do qytetarët e që është në shërbim të tyre.

“Ujë 24 orë, shujta e çerdhe për fëmijet e tyre,  shërbime cilësore, ndriçim publik, trotuare, qendra të mjekesisë familjare, e ndihmë pa hile për bujqit që e punojnë tokën e çmuar të Therandës”, ishin disa nga zotimet që Haxhiu tha se do të realizohen nga qeverisja e Zybes në Therandë.

Më tej, ajo tha se modeli i mirë i qeverisjes së VV-së është parë në Prishtinë, dhe ftoi therandasit që këtë model ta marrin edhe në komunën e tyre. Haxhiu u shpreh e bindur se përkushtimi i pakompromisë i Zybës mund ta kthejë shprsën, dinjitetin, zhvillimin, drejtësinë e solidaritetin në Therandë.

“Le ta votojmë numrin 10, numrin e fitores, numrin e shpresës së madhe”, ishte porosia e Haxhiut në tubimin zgjedhor të mbajtur sot në Therandë.

Visar Ymeri: Alternativa për Therandën është Sali Zyba

Në tubimin zgjedhor të VETËVENDOSJE!-s në Therandë, Kryetari Visar Ymeri ka thënë që  kjo komunë ka histori të lavdishme, natyrë mahnitëse e njerëz të jashtëzakonshëm. Ai tha se Theranda ka dhënë shembullin se si duhet angazhuar për shtetin e kombin, kurse kritikoi ashpër qeverisjet e saj.

“Theranda, sikurse edhe shumë komuna të tjera, përjetoi diçka nuk e meritoi,
diçka që e pengoi, e dëmtoi. Ndër vite, në krye të saj ishin qeveritarë të papërgjegjshëm, pushtetarë të pandërgjegjshëm, që në vend të zhvillimit sollën privatizim, në vend të mirëqenies sollën mjerim, kurse në vend të drejtësisë, sollën korrupsion e krim”, tha Ymeri, duke kritikuar partitë PDK, LDK e AAK.

Por, Ymeri shprehu bindjes se 22 tetori do të sjellë ndryshime sikurse 11 qershori. Ai tha se në këtë të ditë janë dy alternativa, duke përmendur në njërë anë Sali Asllanin dhe kandidatët e tjerë për të cilët tha se janë të njëjtë, e në anën tjetër Sali Zybën për të cilin  tha se është atdhetar e punëtorë i palodhshëm.

“Me 22 tetor, ju e keni mundësinë:të votoni për Sali Asllanin e privatizimit ose për Salih Zybën e prodhimit,të votoni për Sali Asllanin  e stagnimit ose Salih Zybën e zhvillimit, ta votoni Sali Asllanin që solli papunësi e varfëri ose Salih Zybën që sjell mirëqenie e barazi,ta votoni Sali Asllanin që degradoi arsimin ose Salih Zybën që e nxit dijen e mësimin, ta votoni Sali Asllanin që degardoi shëndetësinë ose Salih Zybën që në shëndetësi do ta ngrit cilësinë, ta votoni Sali Asllanin që solli korrupsion ose Salih Zybën që korrupsionin e denoncon, ta votoni Sali Asllanin nepotist ose Salih Zybën, këtë njeri të drejtë, rigoroz e progresist”, tha veç tjeras Ymeri.

 

Kurti: Sali Zyba është kryetari në ardhje i Therandës

Në tubimin zgjedhor në Therandë, deputeti Albin Kurti tha se Komuna duhet të jetë bankë per qytetarët e jo plaçkë për pushtetarët.

Ai e quajti kryetarin aktual Sali Asllanin kryetar në ikje,  kurse Salih Zyben kryetar në ardhje.

“Te tjerët janë si mollë qe shitet e blihet. Salih Zyba është luftëtari e punëtori që as s’shitet e as s’blihet, asnjëherë”, tha Kurti teksa ka folur për Zybën.

Kurti ftoi therandasit që t’i japin mundësinë VETËVENDOSJE! dhe Sali Zybes që të qeverisin me Therandën dhe ta sjellin modelin e mirë të Prishtinës edhe në komunën e tyre.

 

Sali Zyba: Qeverisja ime do të jetë shembull për transparencë e profesionalizëm

Në tubimin zgjedhor të mbajtur në Therandë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, kandidati për kryetar, Sali Zyba, tha se Theranda meriton qeverisje ndryshe dhe u shpreh i bindur se 22 tetori është dita kur ndryshimi do të ndodhë.

Zyba tha se ai dhe ekipi i tij e kanë të qartë se çka duhet e si duhet të qeveriset me Therandën. E këtë tha se më së miri e ka kuptuar nga qytetarët e shumtë që i ka takuar.

“Me komunën do të qeverisni ju qytetarë të nderuar. Unë do të jem në shërbimin  tuaj. Unë do të jem vetëm ekzekutues i kërkesave e propozimeve tuaja. Me zemrën plot e mendje të kthjellët, zotohem këtu para jush se: në Therandë nuk do ta dëgjoni më asnjëherë fjalën korrupsion, nepotizëm e familjarizim. Qeverisja jonë do të jetë shembull për transparencë e profesionalizëm”, ishte zotimi i Zybës para qytetarëve të Therandës.

Ai u zotua po ashtu se do t’i trajtojë me dinjitet familjet e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së, si dhe për përmirësim të cilësisë së arsimit, investime nga shëndetësi, rregullimin e problemit të ujit të pijshëm, investime në infrastrukturë, ndërtim të çerdheve të reja dhe ndalje të ndërtimeve pa leje.

Do ta përmirësojmë jetën e qytetarëve që nga zhvillimi ekonomik e deri te përmirësimi i arsimit, nga investimet në shëndetësi e deri te zhvillimi i turizmit, nga rregullimi i ujësjellësit e deri te trajtimi i ujërave të zeza, nga e-kiosku e deri në digjitalizimin e administratës, nga investimet në infrastrukturë rrugore e deri në krijimin e qasjes së papenguar të personave me nevoja të veçanta, nga ndriçimi publik e deri te siguria në komunikacion, nga shujta e qumështi falas e deri te vizitat sistematike mjekësore në shkolla e çerdhe, nga ndalja e ndërtimeve pa leje e deri te hartimi i hartës zonale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është ndryshimi i vërtetë!  Numri 10 është numër i fatit e suksesit. Numri 10 është numër i dijes e shkëlqimit. Numri 10 është numri i fitores së madhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, tha Zyba ndër të tjera para bashkëqytetarëve të tij të Therandës. /KI/

Komentoni