KosovaToplajm

Hyrja ilegale e tre rusëve në Kosovë – dy dëbohen, një ndalohet

Policia e Kosovës ka treguar se nga tre rusët që janë kapur duke qëndruar ilegalisht në Kosovë, dy prej tyre janë dëbuar me forcë dhe u është ndaluar hyrja për pesë vjet, ndërsa një tjetër është ndaluar për gjykim, pasi i janë gjetur armë pa leje, njofton Klan Kosova.

Dy personat që pretendojnë se janë gazetarë janë kapur në qytetin e Rahovecit të enjten, ndërsa i treti u zu nga policia në kufi në ardhje nga Serbia.

“Rreth orës 18:30 nga patrulla policore e Stacionit Policor në Rahovec është ndaluar një veturë e tipit Peugeot me targa KS, të cilën e drejtonte një shtetas serb i Kosovës (Z.M.) i lindur me (1972) nga Shtërpca, në veturën e të cilit kanë qenë edhe dy shtetas të huaj të cilët janë prezantuar si gazetarë, njëri i gjinisë mashkullore S.B. i lindur më (1991) në Ukrainë, ndërsa tjetri i gjinisë femërore S.O. e lindur më (1993) në Ukrainë, tani me nënshtetësi të Federatës Ruse”, tregohet në raportin e policisë.

“Pas verifikimeve të nevojshme është vërejt se përveç që këta persona nuk kanë vizë të RKS-së, nuk kanë të vendosur  as vulën hyrëse e cila vendoset nga autoritetet tona policore në pikëkalimet kufitare”.

Ndërsa “me datën 16.09.2016 në hyrje të Republikës së Kosovës nga drejtimi i Serbisë ka ardhur automjeti i tipi Chrysler me targa gjermane me vozitës shtetasi gjerman (me përkatësi ruse B.S ), i lindur me (1947) dhe me banim në Berlin të Gjermanisë, me ç’rast gjatë kontrollit të automjetit  janë gjetur një revole me gaz, një karikator dhe pesë fishekë, si dhe dy thika me gjatësi tehu njëra 10 cm dhe tjetra 11 cm”.

“Me autorizim të Prokurorit kompetent është iniciuar rasti i klasifikuar sipas kodit penal të RKS-së ‘Posedim i pa autorizuar i armeve’, i dyshuari  mbetet të intervistohet dhe ndalohet derisa të përfundon procedura gjyqësore ndaj tij, e cila do të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar”.

Komentoni