Lajme

Hykmete Bajrami: Mungesa e stabilitetit politik, faktor frenues i investimeve të huaja

Përpjekjet për zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit privat përmes projekteve të ndryshme, që kanë për qëllim përmirësimin e mëtejmë të legjislacionit, infrastrukturës së cilësisë, promovimit të ndërmarrjeve, ndërtimit të zonave industriale, si dhe rritjes së investimeve nga kompanitë vendore dhe ato ndërkombëtare, janë prioritete e Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajramit. Në një intervistë ekskluzive për Kosova Info, ajo ka theksuar se tashmë kemi hyrë në një cikël pozitiv të rritjes së të gjitha parametrave ekonomik në vendin tonë, duke besuar shumë se efekti i vërtetë i reformave do të ndjehet edhe më shumë gjatë periudhës në vijim.

Ajo ka theksuar se, të gjithë njohësit e fushës pohojnë se mungesa e stabilitetit politik është faktor frenues i investimeve të huaja, dhe këtu duhet theksuar, sikur të kishim një situate stabile politike, padyshim do të kishim fluks më të madh të investimeve të huaja direkte.

Çështja e luftimit të informalitetit dhe evazionit fiskal, sipas ministres Bajrami, ka qenë dhe mbetet përkushtim i kësaj qeverie, duke veçuar se, si Qeveri kemi shënuar rezultate serioze në këtë drejtim dhe kjo padyshim që është e dukshme falë rritjes së të hyrave të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Kosova Info: Znj. Ministre, jeni në krye të institucionit më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Çka është duke punuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në aspektin e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës?

Hykmete Bajrami: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në përputhje me mandatin e saj, gjatë dy viteve të fundit ka bërë përpjekje maksimale në krijimin e një mjedisi të favorshëm për të bërit biznes. Deri tani mund të themi se janë shënuar rezultate të konsiderueshme, dhe kjo konfirmohet edhe nga vlerësimet që vijnë nga komuniteti i biznesit, por edhe nga organizmat ndërkombëtarë, të cilët e kanë evidentuar përparimin e shënuar sa i përket agjendës së zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Sot mund të themi lirisht se kemi hyrë në një cikël pozitiv të rritjes së të gjitha parametrave ekonomik në vendin tonë, dhe besojmë shumë se efekti i vërtetë i reformave do të ndjehet edhe më shumë gjatë periudhës në vijim.

Kosova Info: Cilat janë prioritetet e kësaj ministrie për vitin 2017?

Hykmete Bajrami: MTI ka si prioritet vazhdimin e përpjekjeve për zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit privat përmes projekteve të ndryshme, që kanë për qëllim përmirësimin e mëtejmë të legjislacionit, infrastrukturës së cilësisë, promovimit të ndërmarrjeve, ndërtimit të zonave industriale, si dhe rritjes së investimeve nga kompanitë vendore dhe ato ndërkombëtare. Po ashtu, vlen të theksohet se vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë edhe mbështetjes së konkurrueshmërisë së produkteve të kompanive kosovare, që ato të depërtojnë në tregjet e jashtme, sidomos tash pas mundësive që ofrohen përmes MSA-së.

Kosova Info: Znj. Ministre, në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (ËBAF 2017), që është mbajtur në Stamboll, Kosova ka fituar çmimin “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë”. Pra, Kosova është vlerësuar nga juria ndërkombëtare e Forumit si vendi më reformator sa i përket mbështetjes së ndërmarrjeve të reja (start-up). A do të vazhdoni edhe më tutje për përmirësimin e mjedisit afarist në vendin tonë dhe krijimit të politikave sa më të favorshme për ndërmarrësi dhe tërheqje të investimeve?

Hykmete Bajrami: Përmirësimi i mjedisit afarist në vendin tonë është parakusht për shtimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e investimeve të huaja, dhe neve si qeveri na vjen mirë kur këto rezultate shihen me simpati nga organizatat ndërkombëtare. Pra ky çmim vjen pas një periudhe të angazhimeve serioze të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e mjedisit afarist në vendin tonë, dhe krijimit të politikave sa më të favorshme për ndërmarrësi dhe tërheqje të investimeve.

Kosova Info: Znj. Ministre. Tashmë kemi Ligjin për investime strategjike. Na thoni diçka më shumë për këtë ligj, dhe çka do të bëjë Kosova për investimet sidomos të atyre direkte?

Hykmete Bajrami: Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike – penguese të deritashme – procedurave të stërzgjatura e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës. Ai i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Me këtë ligj rritet transparenca për dhënien e aseteve në shfrytëzim, përmes dy mundësive, njëra është që Qeveria të përgatisë një listë të projekteve, me të cilat ajo mund t’u qaset investitorëve dhe kompanive serioze dhe opsioni tjetër është që investitorët e ndryshëm të cilët mund të jenë të interesuar për asete që janë në pronësi komunale, qoftë shtetërore, qoftë shoqërore, mund t’i qasen Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë për investime në këto asete.

Siç është e ditur, vendet fqinje me të cilat Republika e Kosovës është në konkurrencë të drejtpërdrejt për tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD) kanë pasur legjislacion më të favorshëm për tërheqjen e IHD-ve dhe për bartjen e pronës shtetërore tek investitorët me qëllim të realizimit të investimeve. Kjo për shkak se legjislacioni i vendeve fqinje të Kosovës parasheh procedura më të thjeshta për bartjen në shfrytëzim të pronës shtetërore tek investitorët e huaj dhe atë me çmime simbolike. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, legjislacioni i Kosovës i ndërlidhur me investimet strategjike do të përafrohet me legjislacionin e vendeve tjera në regjion dhe njëkohësisht do të eliminohen pengesat për tërheqjen e investimeve të huaja.

Kosova Info: Sa duhet të jetë minimum që mund të përfshinë shumën e një projekti strategjikë, dhe cilat janë kategoritë e këtyre projekteve që përfshihen në investimet strategjikë?

 Hykmete Bajrami: Sektorët që konsiderohen si prioritar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe vlerësohen me rëndësi strategjike, janë sektorët si: Energji me infrastrukturë dhe miniera; Transport dhe telekomunikacion; Turizëm; Industri përpunuese; Bujqësi dhe industri ushqimore; Shëndetësi; Parqe industriale dhe teknologjike; Administrim i ujërave të zeza dhe mbeturinave. Vëllimi minimal i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik për Energji me infrastrukturë dhe miniera; Transport dhe telekomunikacion dhe Shëndetësi është 30 milion euro. Turizëm dhe Industri përpunuese është së paku 20 milionë euro, kurse për Bujqësi dhe industri ushqimore; Parqe industriale dhe teknologjike dhe Administrim i ujërave të zeza dhe mbeturinave është së paku 10 milionë euro.

Kosova Info: A duhet të kontrollohet nga institucionet e Republikës së Kosovës ato kompani që dëshirojnë të investojnë më ndonjë projekt strategjikë, pra të mos jenë kompani fiktive, dhe të dihet kush janë ato?

Hykmete Bajrami: Legjislacioni përcakton se para se një kompani të fitojë statusin e investitorit strategjik, komisioni vlerësues do ta analizojë në hollësi profilin e kompanisë si dhe kapacitetin financiar për realizimin e projektit.

Kosova Info: Znj. Ministre, në cilën fazë është zbatimi I Ligjit për Investime Strategjike?

Hykmete Bajrami: Ligji për Investime Strategjike precizon që Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të ligjit. Aktualisht janë themeluar grupet punuese të cilat do të hartojnë këto akte dhe sapo të jenë përfunduar ato, ligji do të jetë plotësisht i zbatueshëm.

Kosova Info: Si është situata me barrierat tregtare mes shteteve fqinjë, sa janë eliminuar këto barriera, pasi që e dimë se vitin e kaluar kemi patur problem me disa shtete fqinjë. Pra ku jemi sot?

Hykmete Bajrami: MTI ka punuar në adresimin e barrierave tregtare me vendet e rajonit dhe kemi shënuar rezultate të mira në këtë aspekt. Janë adresuar të gjitha çështjet/barrierat tregtare me Shqipërinë (çështja e barërave farmaceutike, grurit, patates, rrushit, çokollatës etj). Gjatë vitit 2016 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur masa reciprociteti me Serbinë për shkak të mosnjohjes nga ky shtet të certifikatave kosovare për transport të lëndëve të rrezikshme, të njohura si ADR, dhe në këtë mënyrë ne e kemi detyruar Serbinë të njoh certifikatat ADR të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës

Kosova Info: Znj. Ministre, projekti i Brezovicës dështoi, çka po ndodh tash me të, dhe a pritet se do të ndryshoj situata në Brezovicë me Ligjin për Investime Strategjike?

Hykmete Bajrami: Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë një analizë të procesit të parë i cili ka filluar në mandatin e kaluar qeverisës në mënyrë që në procesin e ri për zhvillimin e kësaj qendre të përzgjidhet modaliteti i cili do të sigurojë mekanizma të cilët i japin siguri suksesit të financimit të këtij projekti. Në këtë drejtim, ne jemi duke punuar ngushtë me partnerët tanë nga USAID-i. Një nga opsionet e shqyrtuara nga Qeveria e Kosovës për procedim është Ligji për Investime Strategjike. Projekti i Brezovicës vazhdon të ketë vëmendje të lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe besojmë se me përgatitjet serioze që jemi duke i ndërmarrë ky projekt do të realizohet me sukses.

Kosova Info: Si është duke funksionuar Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, si është situata në këtë Këshill, dhe cilat ministri kanë ngecur, sipas raportit të Bankës Botërore?

Hykmete Bajrami: KKZHE si platforma më e rëndësishme e dialogut publik-privat, është duke funksionuar mjaft mirë dhe deri tani ka diskutuar çështje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, si MSA, Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes, adresimi i shumë kërkesave të ardhura nga komuniteti i biznesit në funksion të mënjanimit të barrierave dhe burokracisë së panevojshme e çështje të tjera dhe ka marrë një sërë vendimesh me interes për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

Kosova Info: Në cilin vend gjendet Kosova për ambientin e të bërit biznes, pasi që janë disa kategori të të bërit biznes?

Hykmete Bajrami: Ndryshimet pozitive në mjedisin afarist në Kosovë janë evidentuar edhe nga Raporti i Bankës Botërore për të bërit biznes, në të cilin raport Kosova është renditur në vendin e 60-të duke u përfshirë në listën e shteteve me mjedis të mirë afarist. Po ashtu, sukses të lartë kemi arritur edhe në indeksin e lirive ekonomike i publikuar nga Fondacioni HERITAGE, i cili sivjet e ka nxjerrë Kosovën në vendin e 46-të në nivel global duke shënuar rritje të lartë në krahasim me vitin e kaluar ku mbanim vendin e 84-të.

Kosova Info: Znj. Ministre, cilat janë ankesat e bizneseve, pasi që shumë shpesh bizneset janë ankuar për mungesë të energjisë, zbatimi i kontratave dhe çështje tjera. Pra, çka ka bërë shteti për t’i zvogëluar sadopak këto ankesa?

Hykmete Bajrami: Siç e dini, bizneset kosovare janë falënderuar te Qeveria e vendit për shkak se kemi përfshirë shumicën absolute të kërkesave të tyre në reformat tona ekonomike. Mirëpo, mbeten ende sfida që duhen adresuar. Sepse, përmirësimi i mjedisit afarist është kompetencë e të gjitha institucioneve të vendit, dhe në këtë aspekt, ne përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe të Task Forcës për Përmirësimin e Indikatorëve për të Bërit Biznes, kemi kërkuar në vazhdimësi që indikatori i energjisë elektrike të adresohet me seriozitet, e po ashtu edhe përmirësimin e efikasitetit të gjyqësorit, sepse të dyja këto kanë ndikim të madh në mjedisin e të bërit biznes në vendin tonë.

Kosova Info: Deri ku kanë shkuar hetimet ndaj KEDS-it, sa i përket njësorëve elektrikë. A keni ndonjë informatë?

Hykmete Bajrami: Ky është një problem që ne e kemi trashëguar nga mandati i kaluar, të gjithë zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë janë pezulluar nga puna në bazë të nenit 69 të Ligjit për Shërbyesit Civil. Rasti si i tillë është ende në Gjykatë dhe pa vendimin përfundimtar të Gjykatës ne nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim tjetër. MTI si në rastet tjera edhe në ketë rast është e zotuar të zbatoj ligjet në fuqi.

Kosova Info: Znj. Ministre kemi mbyllje të shumta të bizneseve. A keni ndonjë informatë se sa biznese janë mbyllur apo shuar deri më tani?

Hykmete Bajrami: Konstatimi se kemi mbyllje të shuma të bizneseve është i pasaktë. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të përmirësimit të mjedisit afarist, ka pasur rritje të numrit të bizneseve të regjistruara dhe që është në suaza proporcionale me numrin e bizneseve të shuara. Numri i bizneseve të shuara është fenomen i natyrshëm në të gjitha ekonomitë, marrë parasysh se ndërmarrësit ushtrojnë aktivitete të ndryshme të tregut duke ndërmarrë rreziqe afariste dhe duke u përpjekur për të përmirësuar gjendjen e tyre individuale.

Të dhënat statistikore argumentojnë se niveli i shuarjes së bizneseve në vendet e rajonit si dhe në shumë shtete tjera qoftë në tranzicion apo të zhvilluara është më i lartë se sa në Kosovë. Sipas të dhënave të ARBK-së, dhe sipas analizave krahasuese ndër vite, shihet qartë një rritje e vazhdueshme e regjistrimit të bizneseve duke arritur numrin rekord të bizneseve të regjistruara prej 10,549 në vitin 2016, ndërsa shuarja vullnetare e bizneseve është bindshëm më e vogël (në total në vitin 2016 janë 2,379 biznese të shuara), që i bie të jetë rreth 22% në raport me Bizneset e Regjistruara. Pra në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë numri i bizneseve të shuara është shumë-here më i lartë se sa në Kosovë.

Kosova Info: Sa ka pasur investime në Kosovë në vitin 2016 nga jashtë, dhe ku është investuar më së shumti? A ka rënie, apo ngritje të investimeve në vitin 2016?

Hykmete Bajrami: Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) gjatë vitit 2016 në Kosovë janë investuar 234.8 mil euro. Gjatë vitit 2016 shuma është më e ulët se në vitin 2015, mirëpo kjo assesi nuk reflekton situatë të përkeqësuar ekonomike falë faktit se përmes rritjes së aktivitetit ekonomik dhe investiv të kompanive që operojnë brenda vendit, si dhe të investimeve publike ne kemi arritur që ta vendosim një trend shumë premtues ekonomik i cili po prodhon rritje të përgjithshme dhe që të vazhdojë pozitivisht edhe në vitet në vijim.

Normalisht, se ne si qeveri presim që ta rrisim më shumë fluksin e investimeve të huaja direkte në periudhën vijuese, mirëpo duhet të jemi realistë sepse për shkak të krizës ekonomike e cila ka mbizotëruar në Evropë për disa vite me radhë, investitorët e huaj kanë qenë më të rezervuar sa u përket investimeve të jashtme. Dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as vendet e rajonit.

Kosova Info: Sa ka ndikuar situata politike në Kosovë, në rënien e investimeve nga jashtë?

Hykmete Bajrami: Të gjithë njohësit e fushës pohojnë se mungesa e stabilitetit politik është faktor frenues i investimeve të huaja, dhe këtu duhet theksuar, sikur të kishim një situate stabile politike ne padyshim do të kishim fluks më të madh të IHD-ve.

Kosova Info: Cili është bilanci i eksportit dhe importit për vitin 2016?

Hykmete Bajrami: Këmbimet tregtare të Kosovës, gjatë vitit 2016, arritën vlerën mbi 3 miliard Euro. Importet e mallrave në Kosovë arritën vlerën prej 2,789,7 milionë Euro, kurse eksportet e Kosovës shënuan vlerën prej 309.6 milionë Euro.

Kosova Info: Znj. Ministre, si është gjendja në Kosovë, sa i përket informalitetit?

Hykmete Bajrami: Çështja e luftimit të informalitetit dhe evazionit fiskal ka qenë dhe mbetet përkushtim i kësaj qeverie. Ne si Qeveri kemi shënuar rezultate serioze në këtë drejtim dhe kjo padyshim që është e dukshme falë rritjes së të hyrave të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Kosova Info: Cilat janë të gjeturat e Raportit të Auditorit për vitin 2015 për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë?

Hykmete Bajrami: Në konkluzionet e përgjithshme të Raportit të Auditimit konstatohet se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shënuar progres të theksuar në implementimin e rekomandimeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), ku prej 22 rekomandimeve të cilat ZAP i ka caktuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për t’i adresuar gjatë vitit 2015, vetëm një rekomandim nuk është implementuar plotësisht ndërsa të tjerat janë adresuar.

Raporti i Auditimit ka vlerësuar lartë qeverisjen dhe efikasitetin e sistemeve të menaxhimit dhe të kontrollit të MTI-së. Konkluzionet e nxjerra nga Raporti i Auditimit konfirmojnë në mënyrë të qartë përkushtimin e plotë të MTI-së për qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënëse, ku shpenzimi i parasë publike dhe qeverisja e përgjegjshme dhe profesionale janë parime bazë për një qeverisje demokratike.

Kosova Info: Znj. Ministre, sa i përket çështjes së naftës, a mund të na thoni se më në fund litri i naftës është litër, pasi që ka pasur shumë ankesa se litri i naftës, është duke u keqpërdoruar nga kompanitë e naftëtarëve?

Hykmete Bajrami: Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK) kanë rritur aktivitetin e tyre monitorues dhe mund të themi se janë shënuar rezultate të shumë mira. Gjatë vitit 2015 dhe 2016 është bërë verifikimi i të gjitha dorëzave të rrjedhjes, proces ky që nuk ishte kryer nga MTI që gjashtë vite dhe që ka qenë obligim ligjor.

Tani pas verifikimit të të gjitha dorëzave ne mund të garantojmë së nuk ka keqpërdorim të sasisë rrjedhëse të dorëzave nëpër pika shitëse të karburanteve. Inspektorati i Tregut ka rritur edhe nivelin e inspektimeve.

Kosova Info: Nafta hynë në Kosovë si naftë jo e mirë, pra naftë e keqe, ku këtë e kanë thënë edhe kompanitë e automjeteve dhe qytetarët, të cilët janë ankuar shumë herë. Çka është duke ndodhur për këtë çështje, pasi që e dimë se situata nuk është në rregull?

Hykmete Bajrami: Sa i përket kontrollimit të cilësisë së karburanteve që tregtohen në Kosovë, MTI ka ndërmarrë një sërë veprimesh të rëndësishme. Gjatë vitit 2015 dhe 2016, Inspektorati i Tregut i MTI-së ka rritur volumin e kontrollit të tregut të karburantit. Është zbatuar Plani i Monitorimit për cilësinë e naftës dhe derivateve të saj; gjatë këtij viti janë marrë 580 mostra në pikat shitëse të karburanteve që krahasuar me vitin 2015 marrja e mostrave është rritur për 58%. Nga 580 mostra të marra 534 janë konform standardeve ose në përqindje 92.1% dhe 46 mostra janë jo konform ose në përqindje 7.9%.

Përqindja e marrjes së mostrave është e përafërt me atë të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Në këtë drejtim, me qëllim të rritjes së efikasitetit të kontrollit të cilësisë, MTI ka marrë veprime ligjore konkrete, ku së fundmi kemi finalizuar Udhëzimin Administrativ për Cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, i cili do të kontribuojë më tej në përmirësimin e situatës lidhur me këtë fushë. Po ashtu, MTI është pajisur edhe me laborator mobil që do të rris më tej efikasitetin e kontrollimit të cilësisë së karburanteve që shiten nga operatorët ekonomikë.

Kosova Info: Çka ka ndodh me kompaninë e naftës GAZ-PROM, e cila erdhi në Veri të Mitrovicës, që është kompani ruse dhe nuk dihet ende kush qëndron aty?

Hykmete Bajrami: Lidhur me sanksionet ekonomike dhe tregtare që ka vendosur Republika e Kosovës ndaj entiteteve të Federatës Ruse, duke qenë në pajtueshmëri të plotë me politikat e aleatëve tanë nga BE, ju njoftoj se Dogana e Kosovës ka kërkuar sqarim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me këtë çështje, përkatësisht nëse importimi i produkteve të naftës nga operatori në fjalë përbën mosrespektim të sanksioneve të Bashkimit Evropian të cilat janë të zbatueshme me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Nga përgjigjet e pranuara nga Zyra e BE-së në Kosovë, është konstatuar se nuk ka shkelje të sanksioneve lidhur me këtë çështje. MTI është duke punuar ngushtë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe institucionet tjera relevante, për të intensifikuar më tej punën rreth licencimit edhe të atyre pikave shitëse që nuk janë të licencuara akoma.

Kosova Info: A keni kërkuar si MTI, licencim të kësaj kompanie dhe sa pika të karburanteve janë në veri të Mitrovicës?

Hykmete Bajrami: Siç jeni në dijeni, për shkak të situatës specifike e cila ka mbizotëruar në komunat veriore të vendit për vite të tëra, qasja e institucioneve të Kosovës ka qenë e limituar në këtë pjesë të Kosovës. Mirëpo, tash pas marrëveshjes së Brukselit e cila parasheh shtrirjen e ushtrimit të kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës, MTI po merr veprimet e nevojshme ligjore lidhur me ushtrimin e mandatit të saj në inspektimin e subjekteve afariste edhe në këto komuna.

Është evidente se numër i madh i bizneseve kanë operuar për vite të tëra në mënyrë joformale në këto komuna, mirëpo, si rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel, MTI ka kryer trajnimin e stafit në komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç dhe Mitrovicë e veriut, të cilët kanë filluar punën në zbatimin e legjislacionit të Kosovës lidhur me tregtinë me karburante dhe inspektim të tregut bazuar në planin e punës të hartuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Ky staf po i raporton Drejtorisë së Inspektoratit të Tregut në MTI lidhur me procesin e licencimit të operatorëve ekonomikë në komunat veriore. Si rezultat i veprimeve të ndërmarra të përcaktuara si më lartë janë shënuar edhe rezultatet e para në licencimin e subjekteve afariste që merren me tregtinë e naftës në këto komuna, dhe ky proces do të vazhdojë duke pranuar kërkesa të reja për licencim. Po ashtu trendi i regjistrimit të kompanive nga këto komuna në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka shënuar rritje.

Kosova Info: A jeni në dijeni se janë lejuar nga MTI, shpenzime prej 30 mijë eurosh për udhëtime jashtë vendit , sidomos në trajnime dhe seminare të ndryshme?

Hykmete Bajrami: MTI në kategorinë e udhëtimeve zyrtare ka të ndara mjete për realizimin e objektivave që ndërlidhen me zbatimin dhe raportimin rreth Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës Evropiane të Reformave dhe promovimin e Kosovës, si destinacion për investime, pjesëmarrjes në takimet e CEFTA-s dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar; MTI njëkohësisht është përgjegjëse për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve tregtare; KIESA në vitin e kaluar ka organizuar 15 panaire jashtë vendit, 4 forume ekonomike, unë si ministre kam marrë pjesë në disa takime bilaterale dhe evente multilaterale dhe mund të themi se mjetet e parapara në buxhet janë shpenzuar për realizimin e objektivave të parapara në planet e punës të lartpërmendura të cilat janë obligim i yni.

Kosova Info: Sa naftë keni konfiskuar deri më tani, pasi që keni ardhur në përfundim se nafta nuk është konform parametrave që MTI kërkon?

Hykmete Bajrami: Për shkak të legjislacionit të paqartë në fuqi, deri me tani Inspektorati i Tregut nuk ka konfiskuar naftë, mirëpo rastet i ka proceduar në organet gjyqësore. Aktualisht, MTI është duke zhvilluar legjislacionin e derivateve të naftës në mënyrë që të krijohen mekanizmat ligjor efikas për konfiskimin e naftës jocilësore dhe tërheqjen e licencës për kompanitë që zihen duke tregtuar naftë jocilësore. Për këtë çështje MTI ka kërkuar asistencë për përkrahje teknike dhe profesionale nga Zyra e BE-së dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Kosova Info: Znj. Ministre, a mendoni se kjo Qeveri dhe ky koalicion ka arritur shumë, duke pas parasysh se është punuar në kushte jo të zakonshme të punës?

Hykmete Bajrami: Konsiderojmë se kemi pasur një angazhim tejet të lartë në implementimin e programit tonë dhe kjo evidentohet nga vetë komuniteti i biznesit dhe organizmat kredibil ndërkombëtar. Normalisht, ne duket të punojmë shumë që të ndërtojmë një stabilitet politik sepse në këtë mënyrë përpjekjet tona për zhvillim ekonomik do të kenë rezultate shumë më të larta.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Leave a comment

Your email address will not be published.


*