Kosova

Gjykata Speciale e gatshme për aktakuzat e para

Gjykata Speciale do të nisë punën atëherë kur Prokuroria Speciale t`i dërgojë aktakuzat para kësaj gjykate. Mirëpo, akoma nuk ka datë të saktë se kur një gjë e tillë do të ndodhë.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se datën kur do të ngritën aktakuzat e para përpara Gjykatës Speciale e di vetëm kryeprokurori special David Schëendiman.

Sipas tij, aktakuzat janë të gatshme, por që është çështje teknike se kur ato do të dorëzohen në Gjykatë.

“Gjykata ka shumë kohë, qe disa muaj është krejtësisht funksionale dhe të gjitha procedurat ligjore kanë përfunduar dhe ajo mund që secilën kohë t`i pranojë aktakuzat e para dhe të fillojë t`i shqyrtojë ato aktakuza që do t`i dorëzohen. Personi i vetëm që e di se kur do e fillojë punën Gjykata Speciale është faktikisht kryeprokurori i Prokurorisë, Schwendiman dhe ne në bazë të deklaratave të tij e dimë që aktakuzat janë pothuajse të gatshme dhe kanë qenë çështje teknike se kur do të dorëzohen. Sigurisht që pritet shumë shpejtë mirëpo me datë të saktë askush nuk e ka përveç kryeprokurorit”, ka thënë ai.

Gashi ka sqaruar se secili person ndaj të cilit do të ngritët aktakuzë, do të jetë nën presion për të paktën 10 deri në 15 vite. Kjo, për shkakun që prokurorët në çfarëdo kohe kanë të drejtë t`i akuzojnë ata persona për akuzat që mendojnë se kanë fakte.

Megjithatë, Gashi ka shtuar se vonimi i dërgimi të aktakuzave nga Prokuroria në Gjykatë nuk ka kurrfarë lidhje me situatën politike dhe kjo nuk do të mund asnjëherë të ndikojë në punën e Gjykatës.

“Kohë më parë Gjykata nuk ka qenë funksionale për shkak të procedurave nëpër të cilat ka kaluar, kurse tash është e gatshme, andaj cilado që të jetë situata në Kosovë, nuk do të ndikojë në punën e Gjykatës. Sido që të jetë, ne besojmë se shumë shpejtë do t`i kemi të akuzuarit e parë atje. E dimë që për këdo që do të ngritën aktakuza, ai person do të jetë nën presion për 10-15 vjet, sepse aktakuzat nuk do të ngritën të gjitha përnjëherë por prokurorët kanë të drejtë që në çfarëdo kohë t`i akuzojnë ata për të cilët mendojnë se kanë prova të mjaftueshme”, ka deklaruar ai.

Një përgjigje konkrete se kur do të nisen aktakuzat e para për në Gjykatën Speciale, nuk ka dhënë as Prokuroria Speciale.

“Indeksonline” i ka dërguar pyetje këtij institucioni, deri sa përgjigja e zëdhënësit Christopher Bennett ka qenë se “nuk mund të komentohet statusi i hetimeve”.

“Duhet ta bëj të qartë se Prokurori Special nuk mund të komentojë rreth statusit të hetimeve për arsye legale, profesionale dhe etike”, ka thënë ai.

Komentoni