Lajme

Hoxhaj për vizitë në Austri, liberalizimi i vizave dëshmi e përkushtimit të përbashkët Kosovë-BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Austri, ku pritet të ketë një agjendë të ngjeshur takimesh dhe ligjëratash. 

Gjatë pasdites së djeshme, Hoxhaj ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën “Ballkani Perëndimor pas BREX-it: Si Kosova po përballet me paqartësitë e zgjerimit të BE-së” ku kanë marrë pjesë personalitete të rëndësishme austriake, përfshirë edhe diplomatët e njohur, Albert Rohan dhe Wolfgang Petrisch. 

Në ligjëratë, Hoxhaj ka thënë se ndër prioritetet më strategjike për Kosovën është anëtarësimi në BE meqë ky anëtarësim sjell siguri politike për ekzistencën e shtetit të pavarur dhe siguri për zhvillim ekonomik dhe ndryshim shoqëror. 

“Liberalizimi i vizave është një qëllim madhor për ne, meqë nuk jemi vetëm shteti më i ri në kuptimin politik por edhe shoqëria më e re në aspektin demografik. Gjatë dy dekadave të lirisë dhe të pavarësisë, në Kosovë ka ndodhur një ndryshim i madh social dhe një popull i ri me këto ndryshime duhet ta gëzoj një të drejtë të tillë. Ne do ti përmbushim në vend të gjitha kriteret dhe shpresojmë shumë që BE do ta marrë vendimin e drejt dhe të shumëpritur” ka thënë Hoxhaj. 

Sipas Hoxhajt, BE-ja edhe pas BREXIT-it duhet të vazhdoj rrugën e zgjerimit dhe zgjerimi në Ballkan nuk është një politikë e jashtme por një politikë e brendshme. 

“Nëse BE synon të konsolidohet në vitet e ardhshme, edhe rajoni i Ballkanit duhet të vazhdoj politikën e tij të konsolidimit duke i zgjidhur problemet politike, ekonomike dhe të modernizimit” është shprehur ministri Hoxhaj. 

Po ashtu, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një bashkëbisedim me Asociacionin e Gazetarëve të Huaj në Vjenë, të cilët i ka njoftuar me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe trendët e zhvillimeve në rajon. 

Hoxhaj sot pritet të zhvilloj një takimin me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz ku në agjendë ka bashkëpunimin bilateral e veçmas atë ekonomik. /KI?

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*