Lajme

Hoxhaj për AP: Ekstremizmi në Kosovë erdhi nga jashtë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, të hënën ka thënë se shumë vende tjera kanë eksportuar ekstremizëm të dhunshëm në vendin e tij, i cili ka shënuar një përqindje më të madhe të qytetarëve të saj që luftojnë për Shtetin Islamik sesa çdo komb tjetër në Evropë.

Autoritetet thonë se rreth 70 qytetarë të Kosovës besohet të jenë ende luftëtarë aktivë në Siri dhe Irak.

Enver Hoxhaj i ka thënë “The Associated Press” në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se “radikalizimi i të rinjve në Ballkan është eksportuar nga OJQ dhe klerikë të ndryshëm” nga Lindja e Mesme.

“Nuk mund t’i fajësojmë qeveritë e huaja” për përhapjen e radikalizmit në Ballkan sepse “nuk kemi dëshmi për këtë”, transmeton Koha.net.

Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës kaloi një ligj që do të dënonte me 15 vjet burgim qytetarët e Kosovës që marrin pjesë në konflikte të armatosura të huaja.

Qeveria e Kosovës ka thënë gjatë këtij viti se draft-masat kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave kanë marrë dritën e gjelbër për t’u votuar në Parlament.

“Jemi shumë krenarë që, që nga shtatori, askush nuk e ka lëshuar Kosovën për t’iu bashkuar DAESh-it”, ka thënë Hoxhaj, duke përdorur akronimin arabik për ISIS-in.

Ndërkaq, duke folur edhe për tentimin e dështuar për t’u anëtarësuar në UNESCO, Hoxhaj shprehu bindjen se “herën tjetër kur të aplikojmë, do të kemi vota të mjaftueshme”, gjë e cila, sipas tij, do të ndihmonte vendin “në rrugën e tij të pandalshme” drejt njohjes së plotë ndërkombëtare.  

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*