Lajme

Hoxhaj në Holandë, merr mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po e vazhdon vizitën zyrtare në Holandë.  Hoxhaj është takuar me deputetë të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, me të cilët ka diskutuar kryesisht për çështjen e liberalizimit të vizave dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Holandës. 

Në takimin me Kryesuesin, Theo van Toor, Hoxhaj i ka kërkuar mbështetje të drejtpërdrejt për vizat, një vendimmarrje e rëndësishme që do të ndodhë javët e ardhshme në Bruksel. 

Kryediplomati Hoxhaj ka takuar edhe Ministrin për Migracion, Klaas Dijkhoff, me të cilin po ashtu ka diskutuar për çështjen e vizave. 

“Në takimin që kisha me Komisionin për Punë të Jashtme pranë Parlamentit të Holandës, dhe me Ministrin për Çështje të Migracionit, diskutuam për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Mund të them që nga pala holandeze ka një mbështetje të plotë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në atë moment kur do të plotësohen edhe kushtet e fundit që kanë mbetur të përmbushen” ka thënë Hoxhaj. 

Kryediplomati Hoxhaj në kuadër të agjendës së tij me qëllim të thellimit të raporteve shtetërore edhe në fusha të tjera ka takuar edhe Presidentin e Konfederatës së Holandës për Biznes dhe Punësim, Hans De Boer, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e investimeve holandeze në Kosovë dhe lehtësirat që i ofron legjislacioni kosovar për investitorët e jashtëm. 

Hoxhaj gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me ministrin e Jashtëm të Holandës, Bert Koenders, ku janë pajtuar për një sërë hapash të përbashkët që do të ndërmerren në të ardhmen sa i përket bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Holandës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*