Kosova

Hoxhaj kërkon nga GIZ ta vazhdojë përkrahjen për Kosovën

 Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar udhëheqësen e ekipit të Mbështetjes së Procesit të Integrimit Evropian në Kosovë nga GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) dhe përfaqësuesen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Henriette Kotter. 

Hoxhaj i ka falënderuar përfaqësueset e GIZ, duke kujtuar përkrahjen e tyre të vazhdueshme për zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999, në sektorë të ndryshëm si, në arsim, ekonomi, shëndetësi dhe bujqësi. 

Duke iu referuar bashkëpunimit me institucionet e linjës në fushat e lartpërmendura dhe përfitimit të gjithmbarshëm nga përkrahja e GIZ, ministri Hoxhaj ka vlerësuar se Kosova mund të përfitojë nga projektet e GIZ edhe në avancimin e politikës së jashtme të Kosovës dhe në proceset integruese. 

“Republika e Kosovës ka nevojë për mbështetjen e mëtejme të GIZ, përmes projekteve konkrete për arritjen e prioriteteve të politikës së jashtme të RKS-së dhe për rrugëtimin në procesin e integrimeve evropiane”, ka deklaruar ministri Hoxhaj përderisa ka shtuar se MPJ do të angazhohet që në koordinim me partnerët e saj të përfitojë nga ekspertiza që mund ta ndihmojnë zhvillimin e Kosovës. /KI/

Komentoni