Kosova

Hoxhaj ftohet në raportim për rrahjen e zyrtarëve të MPJ-së

Një rrahje në mes të zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe disa parregullsi brenda kësaj ministrie janë bërë shkas qe i pari i kësaj ministrie, Enver Hoxhaj, të ftohet për të raportuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

Ftesa tashmë i është dorëzuar ministrit dhe anëtarët e Komisionit janë në pritje që ai t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

Zafir Berisha, i cili përfaqëson Nismën për Kosovën, në këtë Komision ka thënë për Indeksonline ka thënë se kjo ministri është shndërruar në arenë boksi ku zyrtaret grushtohen mes vete.

“Arsyeja pse e kemi ftuar ministrin Hoxhaj është se kemi marrë një letër nga shërbyes të kësaj ministrie në të cilën thuhet se ka shkelje drastike lidhur më punësimin dhe ngritjen në karrierë. Një numër i caktuar i shërbyesve në këtë ministri kanë nënshkruar një peticion për të cilin janë në dijeni presidenti, kryeministri, ministri i MPJ-së dhe Komisioni Parlamentar për Punë të jashtme. Po ashtu arsyeja e ftesës për raportim janë edhe meçet e boksit të cilat po ndodhin në këtë ministri. MPJ duhet të jetë ambasador pozitiv i përfaqësimit të shtetit dhe derisa rrihen me grushte e shkelma nuk e di çfarë pasqyre do të kemi para faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Berisha është pesimist se Hoxhaj do të pranojë ketë ftesë. Sipas tij, në këtë legjislature asnjëherë nuk ka pranuar të vije në Komision, ministri i Punëve të Jashtme.

“Ky është injorim dhe papërgjegjësi e ministrit”, ka shtuar Berisha.

Komentoni