Kosova

Hoxha: E rëndësishme anëtarësimi i Kosovës në Interpol

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Valdet Hoxha, priti në takim një grup ekspertësh nga selia e OKB -së në New York, i cili këto ditë po e viziton Kosovën. Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarë të EULEX-it,  UNDP-se, UN Women dhe autoritete tjera në fushën e sundimit të ligjit dhe sektorit te sigurisë. 

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet dhe arritjet e deritashme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, sidomos për sektorin e sigurisë, përfshirë edhe policinë në mënyrë që të identifikohen nevojat për zhvillim të mëtejshëm në këto fusha. Po ashtu u diskutua edhe për aspektin gjinor, për përfshirjen dhe përkrahjen për gratë në mekanizmat e sigurisë.

Zëvendësministri Hoxha, i njoftoi të pranishmit për progresin që ka bërë Kosova në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, gjithmonë duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke në mes të vendit tonë dhe vendeve tjera të rajonit dhe më gjerë.

Zëvendësministri vuri në dukje rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, përveç tjerash edhe në kontekst të implementimit të suksesshëm të strategjive nacionale për luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, për çka edhe u pajtuan të gjithë se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ishte në të mirë të sigurisë së gjithë rajonit.

Ekspertët nga selia e OKB -së në New York, si dhe përfaqësuesit e EULEX-it,  UNDP-së, UN Women në Kosovë dhe autoritete tjera në fushën e sundimit të ligjit dhe sektorit të sigurisë, vlerësuan punën e MPB-së dhe të mekanizmave tjera të sigurisë, në fushat përkatëse dhe falënderuan zëvendësministrin Hoxha për prezantimin dhe njëkohësisht ofruan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe ndihmë për zhvillim të mëtejshëm në këto fusha. /KI/

Komentoni