Kosova

Hoxha: Do bashkëpunojmë me Eulexin në infrastrukturën ligjore

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në takim njoftues Shefen e re të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou e shoqëruar nga zëvendës shefi i Misionit Bernd Thran dhe udhëheqësja e zyrës ndërlidhëse Elaine Paplos. Ministrja Hoxha uroi znj.Papadopoulou për detyrën e re, njёherit shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Misionit të EULEX-it.

Në takim, znj. Papadopoulou shprehu mirënjohjen e saj për gatishmërinë e Ministres Hoxha për të thelluar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shfaqi qëndrimet e Misionit të EULEX-it për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e Republikës së Kosovës, dhe shfaqi mirënjohje për punën e bërë në sektorin e drejtësisë, në luftë ndaj dukurive negative dhe korrupsionit. Me ç’rast vlerësoi lartë punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë në mënyrë efektive, të paanshme, dhe korrekte në mbrojtje dhe respektim të pavarësisë së gjyqësorit.

Ministrja Hoxha, kërkoi që bashkëpunimi i deritanishëm të intensifikohet edhe më tej si në përforcimin e infrastrukturës ligjore, përmirësimin e fushës së sundimit të rendit dhe ligjit, po ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit. Të dyja palët vlerësuan se bashkëpunimi në sferën e infrastrukturës ligjore, në ngritjen e kapaciteteve, si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi i brendshëm, janë tejet të rëndësishme si në efikasitetin e punëve ashtu edhe në ngritjen e besimit të qytetarëve për sistemin e drejtësisë. /KI/

Komentoni