Kosova

Hoti: Shpend Ahmeti nuk e ndërtoi asnjë shkollë

Për katër vjet të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë nuk u ndërtua asnjë shkollë.

Deri këtu nuk u vu asgjë në diskutim në debatin e djeshëm për kryeqytetin. Shpendi pajtohej me këtë. Zhurma filloi kur Arban Abrashi i LDK’së tha se partia e tij, mandatin e kaluar, ndryshe nga kryetari aktual ndërtoi 26 objekte shkollore. “Jo nuk i keni ndërtuar 26”, thoshte Shpendi.

Debati i ashpër për Prishtinën po shoqërohet me akuza të rënda. Të gjithë kandidatët kundër kryetarit aktual Shpend Ahmeti, e ky i fundit kundër qeverisjeve të LDK’së nga Isa Mustafa e Ismet Beqiri, edhe pse përballë ka Abrashin.

Ahmeti në debatet që është parë deri më tani me kundërkandidatët e tij, më shumë se qeverisjen e tij katërvjeçare, ka komentuar atë që ai e quan keqqeverisje nga Mustafa.

Në Klan Kosova, për disa minuta po diskutohej me tone të larta nga Abrashi dhe Ahmeti rreth ndërtimit të shkollës fillore “Emin Duraku”. Debati shkoi në atë pikë kur po vihej në pikëpyetje ekzistenca dhe gjendja e një shkolle 5.500 metra katrorë të madhe, në mes të Prishtinës.

Përderisa Shpendi thoshte se ai kishte vijuar mësimet në shkollën Emin Duraku dhe nuk ishte ndërtuar e rindërtuar objekti i saj, Abrashi tregonte se diçka e tillë kishte ndodhur në mandatin e dytë të Mustafës.

Për katër vjet, Vetëvendosje nuk ndërtoi asnjë shkollë në Prishtinë. Por, Shpendi me ngulm kundërshtoi Arbanin kur ky tha që LDK, ka ndërtuar 26 shkolla.

“Jo nuk i keni ndërtuar 26 shkolla”, i thoshte Ahmeti, Abrashit.

Gazeta Express ka kontaktuar sot Avdullah Hotin, i cili gjatë qeverisjes së Mustafës, ishte nënkryetar i komunës për të marrë informacione rreth investimeve komunale në objektet shkollore.

Hoti thotë se gjatë kohës kur ai ishte nënkryetar, ishte ndërtuar shkolla fillore “Emin Duraku”, edhe pse Ahmetit iu duk absurde të thuhet se është ndërtuar ai objekt shkollor.

Ai ka shtuar se kjo mund të dëshmohet edhe prej dokumentacionit lidhur me projektin e ndërtimit të kësaj shkolle.

“Gjatë mandatit të kaluar kur unë kam qenë nënkryetar komune, është ndërtuar shkolla “Emin Duraku”. Kjo mund të dëshmohet përmes kontratës që Shpend Ahmeti mund ta gjej në arkiv të komunës”, ka thënë Hoti për Expressin.

Dëshmi tjetër, Hoti thotë se janë edhe fotografitë që nga fillimi i ndërtimit e deri te përurimi.

Se janë ndërtuar 26 shkolla kishte thënë e Isa Mustafa, i cili ishte shprehur i gatshëm për një debat me Ahmetit për të folur rreth punëve që, Mustafa thotë se i ka kryer në Prishtinë.

Kryetari i LDK’së i kishte numëruar objektet shkollore të ndërtuara, anekset, terrenet sportive në oborret e shkollave.

“Për 4 vjet ndërtoi 26 objekte shkollore, ndër to: Shkollën e Gjelbër, Shkollën Model, Shkollën Ekonomike, Shkollën Teknike, Gjimnazin Xhevdet Doda, Shkollën e TI-së, Shkollën në Vreshtat, Shkollën Emin Duraku, Shkollën në Lagjen e Spitalit, Shkollën në Barilevë, në Ajvali, në Llukarë, në Keqekollë, në Bardhosh dhe shkolla të reja në të gjitha fshatrat ku kishte godina të vjetra shkollore”, ka shkruar Mustafa pas një debati televiziv për Prishtinën, ku Ahmeti mohonte atë çfarë Abrashi thoshte se ishte kryer nga qeverisja e Mustafës në kryeqytet.

Në një njoftim të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, më 2 shtator të vitit 2013, në ditën e ceremonisë së përurimit të objektit të ri shkollor thuhej se nga 2010, në Prishtinë dhe fshatrat e saj, ishin ndërtuar 22 shkolla.

Mustafa kishte folur edhe për ndërtimin e objektit shkollor ‘Emin Duraku’, duke treguar se ka kushtuar dhe për sa kohë janë kryer punimet.

“Objekti i shkollës fillore “Emin Duraku” me hapësirë shkollore 5,500 m2(objekti i shkollës dhe salla e ed fizike) me vlere 1,121,080.78 euro me plan dinamik të kryerjes se punëve  261 dite pune sipas ditarit të punës. Janë  gjithsej 32 klase prej tyre:  1 bibliotekë, 5 kabinete,  26 klasë mësimor”, thuhet në njoftimin e komunës.

Halim Hoti, i cili në mandatin e dytë të Mustafës në Prishtinë ishte drejtor i drejtorisë së Arsimit, ka treguar për Gazetën Express se shkolla i kishte kushtuar buxhetit të komunës 1.121.080.78 euro, siç edhe shkruan në njoftimin e kontratës.

“Nuk po më habit aspak që Shpend Ahmeti nuk po e di që është ndërtuar shkolla Emin Duraku. E kam ditur gjithmonë që ai nuk është marrë aspak me arsimin në Prishtinë”, ka thënë Halimi.

Komentoni