Lajme

Hoti: Pako Fiskale 2.0, fuqizon ndjeshëm sektorin privat në Kosovë

“Si vazhdimësi e reformave fiskale të ndërmarra në vitin 2015, Ministria e Financave gjatë vitit 2016 ka punuar gjatë në disenjimin e politikave të reja fiskale, bazuar gjithmonë në nevojat për ndryshime, të identifikuara nga vet bizneset. Rrjedhimisht, kemi mbajtur takime të vazhdueshme me komunitetin e bizneseve, qoftë nëpërmjet tryezave të përbashkëta të organizuara, qoftë nëpërmjet vizitave që i kemi realizuar në terren”, ka bërë të ditur ministri i Financave Avdullah Hoti në konferencën e sotme për Media, ku ka prezantuar para gazetarëve Pakon fiskale 2.0, e cila është aprovuar sot në mbledhjen e Qeverisë.

Ai bëri të ditur se gjatë takimeve me komunitetin e bizneseve, ne jemi informuar drejtpërdrejt nga bizneset për efektet pozitive nga implementimi i reformave fiskale të vitit 2015, si dhe për sfidat e tyre sa i përket kushteve të të bërit biznes.

“Në fund të vitit 2016 ne kemi arritur që të konceptojmë një draft të politikave të reja fiskale – Pakon Fiskale 2.0, ku më 14 dhjetor 2016, këtu në Qeveri kemi aprovuar në parim, nismën për masat e përfshira në këtë pako. Me këtë rast është hapur rruga për zhvillimin e fazës së diskutimeve publike me komunitetin e bizneseve dhe palët tjera të interesit për Pakon Fiskale 2.0. Hapja e fazës së diskutimeve publike është shënuar me takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, duke vazhduar më pas me diskutimet e hapura publike me përfaqësuesit e bizneseve ku në fokus ka qenë kompleksiteti i disa çështjeve dhe me qëllim të sqarimit në detale të propozimeve nga përfaqësuesit e bizneseve” ka shtuar Ministri Hoti.

Ai theksoi se propozimet për politikat e reja fiskale janë prezantuar edhe në Konferencën “Ambienti i Ambientit 2017”, si dhe në takimet tjera të tilla, të organizuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nëpër regjionet: Gjilan, Prizren, Istog, Mitrovicë.

“Si rezultat i të gjitha takimeve të lartcekura, është arritur një konsensus i përbashkët mes Ministrisë së Financave dhe komunitetit të bizneseve për masat e Pakos Fiskale 2.0, ku janë përfshirë 22 masa, të cilat janë paraparë që të implementohen nëpërmjet ndryshimeve, qoftë në aspektin legjislativ apo atë procedural. I gjithë ky angazhim nga Ministria e Financave dhe akterët tjerë është bërë me qëllim të fuqizimit të sektorit privat, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit” shtoi Ministri Hoti. /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*