Lajme

Hoti: Ekonomia e vendit po vazhdon me ritmet e saja pozitive të rritjes

“Këtë javë kemi pasur në vizitë Misionin e FMN-së, për të diskutuar mbi Buxhetin e vitit 2017. Më lejoni të qartësoj se kjo vizitë nuk ka pasur për qëllim përmbylljen e ndonjë Rishikimi të Programit, megjithatë përgatitja e Buxhetit për vitin 2017 është bërë në kontekst të Programit SBA. Gjatë kësaj jave, Misioni i FMN-së ka pasur një sërë takimesh me shumë prej institucioneve përgjegjëse, dhe më lejoni të ju them që në fillim se kemi bërë progres të mirë në drejtim të finalizimit të Buxhetit për vitin 2017” ”, ka thënë ministri Avdullah Hoti në konferencën e sotme për media me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga z. Jacques Miniane.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Kemi pajtueshmëri të plotë se ekonomia e vendit po vazhdon me ritmet e saja pozitive të rritjes, dhe kjo rritje do të përshpejtohet ne vitet në vijim, falë efektit të pritur të reformave që tani më jemi duke i implementuar Për këtë vit, pra për 2016, ne presim që rritja ekonomike të jetë rreth 4%. Krahas rritjes pozitive ekonomikepërformanca fiskale e financiare e vendit është tejet e mirë.

“Në kontekstin e Programit SBA, të gjitha Caqet Fiskale për fund të Qershorit 2016 janë përmbushur, e në shumë raste, performanca ka qenë dukshëm më e mirë se sa ajo e projektuar përmes Programit. Ne ju kemi informuar mbi këtë performancë edhe më herët, por më lejoni të përsërisë se: Të hyrat buxhetore, e në veçanti ato tatimore ku rritje e këtyre të hyrave tatimore është shumë më e lart se rritja ekonomike, çka na lë të kuptojmë se po bëjmë progres të mirë drejt zvogëlimit të ekonomisë informale, zvogëlimit të hendekut tatimor dhe përmirësimit të perfromancës së dy institucioneve tatim-mbledhëse. Njëkohësisht kemi pasur një menaxhim shumë të kujdesshëm të shpenzimeve buxhetore, me theks të veçantë në shpenzimet rrjedhëse. Rrjedhimisht, deficiti buxhetor sikurse deri më tani, por edhe deri në përfundim të vitit pritet të jetë mjaft nën kufizimet ligjore. Niveli i bilancit bankar është rritur dukshëm, dhe kjo dëshmon për qëndrueshmërinë e financave tona publike” shtoi ministri Hoti.

Ndërsa, sa i përket Buxhetit të vitit 2017, Ministri Avdullah Hoti bëri të dituar se me FMN-në kemi pasur biseda mjaft të gjata e të mundimshme, por që në fund kemi arritur të pajtohemi në të gjitha pikat që lidhen me këtë buxhet.

“Jemi pajtuar që të hyrat buxhetore do të vazhdojnë të rriten edhe vitin e ardhshëm. Vetëm të hyrat tatimore presim të rriten me një normë prej mbi 6%. Edhe tek shpenzimet kemi dakordim, si për totalin, ashtu edhe për strukturën e shpenzimeve. Përmes këtij buxheti, ne do të jemi në gjendje të fillojmë me implementimin e shumë politikave, reformave strukturore dhe projekteve specifike”, shtoi ministri Hoti .

Ai gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës do të fillojë me implementimin e reformës që lidhet me Sigurimin Shëndetësor, do të vazhdojë me reformat në sistemin e drejtësisë e sigurisë, ka ndarë buxhet për të vazhduar me përkrahjen e Bujqësisë. Dhe gjithashtu me buxhetin 2017 do të implementohet shumë projekte infrastrukturore.

Përmes këtij draft-buxheti ne kemi paraparë edhe buxhetim shtesë për projekte kapitale, që do të financohen përmes Klauzolës për Investime. Megjithatë dua të ju informoj se përkundër progresit në të gjitha fushat, kemi një çështje akoma të pazgjidhur, që ka të bëjë me Reformën për Skemën e Pensioneve për Veteranët e Luftës. Ne me draft Buxhetin për vitin 2017 jemi pajtuar që të alokojmë një shume prej rreth 38 milion EUR, dhe këtu nuk kemi mos-pajtim me FMN. Por kjo shumë nuk do të mjaftoj as për së afërmi, nëse nuk reformojmë këtë skemë. Në këtë kontekst, ne po presim që në ditët e ardhshme, të kemi diskutime të nivelit më të lart për këtë çështje dhe të vendosim se në çfarë drejtimi duam të shkojmë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti me këtë rast, gjithashtu bëri të ditur se së bashku me ekipin nga Ministria e Financave javën e ardhshme do të qëndrojnë në Washington për Takime Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ku do të vazhdojmë me diskutimet për të arritur një marrëveshje.

“Më lejoni të përsërisë se pa një reformë të mirëfilltë të skemës së Veteranëve, nuk do të kemi program me FMN, dhe ditët po afrohen kur duhet të vendosim”, theksoi ministri Hoti. 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza, bëri të ditur se sa i përket sektorit bankar, janë përmbushur të gjitha kriteret të cilat janë paraparë në Marrëveshjen me FMN-në.

“Edhe ne si BQK kemi punuar shumë afër me Misionin e FMN-së me qëllim që të shikojmë ecurinë e përmbushjeve të kritereve që kanë qenë pjesë e Marrëveshjes me FMN-në. Kam kënaqësinë të ju informoj se si rezultat të punës së përbashkët të stafit të BQK-së dhe ekspertëve të FMN-së i kemi përmbush të gjitha këto kritere. Ekspertët e FMN-së kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përmbushjen e këtyre kritereve dhe përfundimin e këtyre obligimeve që kemi pasur. Të gjitha komentet janë inkorporuar dhe nuk ka ndonjë çështje që ka mbetur e hapur dhe presim që në vizitat e ardhshme të FMN-së të del se kriteret të cilat kanë qenë pjesë e marrëveshjes janë të përmbushura”.

Ai gjithashtu bëri të ditur se , sa i përket ecurive në sektorin bankar kemi zhvillime pozitive. “Kemi rritje të kreditimit, po i referohem të dhënave të fundit të muajit gusht të Kredive prej 9.3%, rritja e depozitave prej 7.1 %, sektori bankar është profitabil, kreditë jo performuese kanë vazhduar të shënojnë rënie 5.1 % dhe janë mirë të provizionuara. Dhe del se sektori bankar është një prej shtyllave dhe kontribuuesve të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit për këtë vit”, shtoi guvernatori Bedri Hamza.

Ndërsa, Kryesuesi i delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane Kryesuesi i delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane, falënderoi Ministrin e Financave Avdullah Hoti dhe Guvernatorin Bedri Hamza dhe gjitha institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës ,për bashkëpunimin e frytshëm gjatë vizitës së Misionit të FMN-së në Kosovë dhe punën që është bërë gjatë këtyre ditëve.

Ai bëri të ditur se “Kemi pasur një performancë të mirë, dhe kemi pasur vitin e kaluar edhe disa masa të reja tatimore dhe të gjitha këto të gjitha kanë bërë që të kemi të hyra të mira. Presim që Qeveria ti përmbushë caqet e Rishikimit 6 mujorë të Buxhetit dhe kjo është mirë. Ngjashëm, Qeveria ka mbajtur nën kontroll tavanet e shpenzimet përkundër presioneve për pensionet e veteranëve të luftës. Por, për momentin shpenzimet mbesin nën kontroll dhe presim këtë vit rrjedhimisht një deficit prej 55 deri 85 milionë euro, varësisht nëse Qeveria i ekzekuton shpenzimet e paraparë apo jo. Por, përgjithësisht kjo është një performancë shumë e mirë”.

“Tani më lejoni të ju tregoj disa prej parametrave për buxhetin e vitit 2017. I kemi pasur dy objektiva këtu para vetës. Njëra ishte që të vazhdojmë me përpjekjet për ti mbajtur shpenzimet rrjedhëse, siç e dini pagat dhe mëditjet, subvencionet dhe pensionet, janë rritur shumë më shpejt se sa që janë rritur të hyrat tatimore, dhe shumë më shumë se sa që është rritur ekonomia në Kosovë. Dhe kjo ka vazhduar për vite me radhë, dhe kjo rrjedhimisht ka kompromentuar dhe kufizuar hapisrën për shpenzime të mira në çështje prioritare për Kosovën dhe kjo ka qenë problematike. Ka qenë një problem që jemi munduar ta trajtojmë në kuadër të programit dhe do të vazhdojmë ta trajnojmë këtë problem edhe me buxhetin e vitit 2017. Në të njëjtën kohë ne mendojmë se duhet të ketë hapësirë për më shumë shpenzime kapitale në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe kjo është mirë, sepse ka projekte zhvillimore që i duhen vendit. Ende nuk është i qartë nëse i tërë financimi nga donatorët apo edhe fondet nga Agjencia e privatizimit të Kosovës do të realizohen apo do të materializohen, mirëpo nëse ato do të realizohen ato janë mëse të mirëpritura dhe do të ndihmojnë shpenzimet kapitale”. Kryesuesi i delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane.

Sipas tij, “Por, megjithatë ekziston një çështje madhore e hapur për Buxhetin e vitit 2017.I kemi ndarë 50 milionë euro për Skemën e veteranëve të luftës dhe invalidëve të luftës, 50 milionë euro janë më shumë se që kemi menduar që është ideale, por mendoj se 50 milionë euro janë të qëndrueshme, besojmë që mund ti akomodoj Buxheti ato. Por, realiteti është se nëse Skema e veteranëve të luftës dhe invalidëve të luftës nuk reformohet, nëse kjo Skemë nuk reformohet atëherë shpenzimi për këtë kategori do të jetë më i madh sesa 50 milionë. Prandaj, ky Buxhet kushtëzohet me një reformë, varët nga një reformë dhe ne presim që kjo Skemë të reformohet për 3 arsye: Së pari për të mirën e Buxhetit dhe për të mirën e qëndrueshmërisë fiskale, pa reformë të tillë do të shpenzohen 100 milionë euro në këto Skema dhe deficitet do të rriten dhe do të dalin nga kontrolli ynë. Do të mund të përfundojmë me deficit prej 150 milionë euro për vitin e ardhshëm dhe kjo nuk do të mund të jetë e qëndrueshme dhe as e dëshirueshme. Arsyeja e dytë është që se mendojmë se vendi, shteti i Kosovës nuk do të duhej të paguante 100 milionë euro në vit për 30 vitet e ardhshme për të siguruar që të rinjtë nuk punojnë, ose që të rinjtë të punojnë në ekonominë nën hije, joformale dhe të marrin para publike. Dhe ne mendojmë që ky nuk është shpenzim i parasë publike. Kështu që për të mirën e Buxhetit dhe për të mirën e vendit, ne shpresojmë që këto skema do të reformohen. Ne e kuptojmë dhe e pranojmë që ata që kanë sakrifikuar për këtë vend duhet të vlerësohen dhe të meritojnë vlerësim, por mënyra siç është konfiguruar kjo dhe shifrat siç janë paraqitur, mendojmë që janë përtej asaj që është e arsyeshme dhe e qëndrueshme”.

Kryesuesi i delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane bëri të ditur se “Programi i FMN-së ka qenë një mënyrë i pezulluar që nga Qershori kur është miratuar Skema e veteranëve të luftës, nuk ka pasur dispursime të FMN-së që nga Janari si pasojë e kësaj. Dhe ne jemi tani duke luftuar me kohën për të parë nëse ka një zgjidhje. Pra kjo është situata momentale, prapë mendoj se këto Skema duhet mbi të gjitha të reformohen sepse kjo është gjëja e duhur për të mirën e vendit. Programi i FMN-së siç e shpjegova ka këtë qëndrim dhe ka këto çështje dhe mendoj që është me rëndësi që populli ta kuptoj rëndësinë kësaj çështje”.

“Më lejoni të them edhe një tjetër gjë për fund. BQK së fundi ka miratuar një kornizë makroprudenciale mendoj që është me rëndësi dhe është shumë cilësore si politikë për ta pasur. Tani Guvernatori e ka identifikuar, sektorin e sigurimeve si një prioritet politikash, dhe besoj që do të punojmë tani edhe në këtë drejtim me BQK-në dhe do të arrijmë rezultate të tjera të suksesshme”, shtoi z. Jacques Miniane. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*