Lajme

Historia horror e burgut të Shënkollit, ku zjarri i mori jetën një të burgosuri

Një histori horror ka tronditur sistemin e burgjeve. Bombola të ndezura gazi që iu marrin jetën të burgosurve, një urdhër brutal që mos të hapen – dyert për banorët e asaj godine që ishte në flakë, një izolim total informacioni, asnjë e dhënë mbi personat e asfiksuar të cilët gjenden të shtruar në spitalin e Lezhës, ndërsa janë me dhjetëra familjarët që kanë rendur dje drejt burgut të Shënkollit që të marrin një informacion në lidhje me gjendjen e familjarit të tyre që gjenden në ato ambiente.

Por, e ndërsa 34-vjeçari, Flamur Sula, ka ndërruar jetë dhe 8 të tjerë janë asfiksuar, nga ai burg del në pah, përveç izolimit të informacionit, se në të njëjtën dhomë kanë qenë që të gjithë personat që kanë që janë asfiksuar. Drejtoria e Burgjeve dhe Policia e Burgjeve nuk kanë dhënë asnjë emër të personave të plagosur ndërsa në lidhje me ngjarjen kanë dalë disa versione. Mbrëmë, përveç reagimit zyrtar dhe të përgjithshëm të dalë nga zyra e Ministrit të Drejtësisë, asnjë e dhënë tjetër konkrete nuk është dhënë për aktin e rëndë makabër ku një bombol gazi ka shpërthyer në një dhomë të godinës nr 1.

E ndërsa u tha se ngjarja është aksidentale dhe se gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia e viktimës, janë të dhëna të tjera që tregojnë një version tjetër: dhoma nr 5 u godit nga dhoma nr 8! Bombola e ndezur është hedhur nga dhoma përballë dhe aty, në afërsi të derës, në vendin ku edhe ka shpërthyer bombola është gjendur Flamuri, djali nga Miloti, i cili sipas të dhënave ishte në Apel, pasi akuzohej për plagosje në rrethana cilësuese. 34-vjeçari ka vdekur në vend, ndërsa sipas të dhënave që kanë ardhur nga të burgosur të tjerë është bërë me dije se asnjë i burgosur nuk ka patur mundësi të depërtojë në zonën e zjarrit të ndihmojë të tjerët të dalin nga aty. Një filmim i bërë publik ditën e djeshme tregon të burgosur të cilët hidheshin nga kati in tretë i godinës në tokë, ndërsa policia e burgut qëllonte në ajër nga frika e ndonjë arratisjeje të mundshme të të burgosurve.

“Mirë që nuk na lënë të hymë të ndihmojmë shokët dhe miqtë tanë të sektorit të andejshëm, por duan edhe të na vrasin. Po qëllojnë, s`di në drejtim të kujt, por më duket se na duan të vdekur”, ishte rrëfimi i një të dënuari, i cili ndodhej në seksion tjetër teksa telefononte “Shekullin” për të treguar se ç`po ndodhte në ato moment në burgun e Shënkollit”.

E sikur të mos mjafton ngjarja e rëndë e Lezhës, një atentat, që të kujton ata të `97-ës ndodh në Vaqarr. Qëllohet me snajper mbi të dënuar që ishin në ajrosje. Plagoset njëri në këmbë, ndërsa policia saktëson: Ka dyshime që nuk ishte ai shënjestra!

Rrëfimi

“Flamuri vdiq!”. Kështu nis rrëfimin, i dënuari, me një masë të rëndë dënimi, duke folur për Flamurin sikur të ishte edhe i njohuri i jonë prej kohësh. I dënuari, i cili bën me dije se ndodhet në një tjetër godinë e ka patur të pamundur të hyjë në katin e dytë t`u japë ndihmë personave, ndërsa në momentin që ende nuk kishte mbërritur asnjë zjarrfikëse, ambulancë, mjek, apo drejtori të kishte dhënë urdhër për hapjen e dyerve, ai tregon se ka parë të nxirret prej aty i vdekur shoku i tyre, Flamuri.

“Është nga Miloti. Më duket se është i dënuar për tentativë vrasjeje. Nuk po më lënë të afrohem dhe të kuptoj se çfarë dreqin ka ndodhur, por një punonjës i policisë së burgjeve që po qëllon këtu në ajër më thotë se ka rënë zjarr në kuzhinë. Nuk di se si do dalin të tjerët, por këtu kaloi më shumë se gjysmë orë dhe nuk po vjen asgjë. Nuk shoh asnjë përpjekje për të shuar zjarrin dhe kemi frikë se do digjen të gjithë kati i dytë për së gjalli. Askush nuk hap dyert se shkojmë e i ndihmojmë vetë dhe nuk kuptoj; pse vijohet duke qëlluar me armë!!!”.

Pas dëshmisë

I dënuari e mbylli telefonatën duke treguar se asnjë ndihmë nga jashtë nuk iu është dhënë ende, ndërsa nuk dinte asgjë se çfarë ka ndodhur. Me personazhin tonë nuk u lidhëm dot më, ndërsa më vonë u tha se zjarrfikëset e Lezhës kanë mundur të shuajnë zjarrin nga jashtë. Aty kanë shkuar disa ambulanca dhe deri në orën 18.30 është punuar për të transportuar të plagosurit dhe të asfiksuarit në drejtim të spitalit të Lezhës. Më pas kanë mbërritur dhjetëra forca policie për të mundësuar mbajtjen nën kontroll të njerëzve që vinin të interesoheshin për të afërmit e tyre. E njëjta situatë, në mbrëmje është postuar në spitalin e Lezhës, ku me anë të një shtetrrethimi nuk lënë as qytetarët të shkojnë në urgjencë.

Dy versione për të njëjtën ngjarje

Zjarr në burg, digjet i dënuariRreth 3 orë pas ngjarjes së rëndë ka reaguar Ministria e Drejtësisë ku informoi se “rreth orës 16.00, në IEPV Lezhë është vënë re prezencë zjarri në njërën nga qelitë e këtij institucioni. Forcat zjarrfikëse dhe policia e burgjeve kanë ndërhyrë menjëherë për shuarjen e zjarrit. Në vendngjarje është gjetur i asfiksuar dhe pa shenja jete i paraburgosuri F. Sula. Dyshimet paraprake lidhen me një zjarrvënie aksidentale si pasojë e shpërthimin të një bombole gazi për gatim. Hetimet vijojnë për të përcaktuar detajet e mëtejshme të ngjarjes.

Ministri Manjani dhe autoritet e sistemit penitenciar po e ndjekin me vëmendje ngjarjen. Gjendja momentalisht po shkon drejt normalitetit ndërsa janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për mbajtjen nën kontroll të plotë të situatës”. Më pas reaguan burgjet nëpërmjet zëdhënëses së saj, e cila më vonë nuk dha asnjë të dhënë për ngjarjen, për të sqaruar vijimin e aktit të rëndë dhe për të dhënë emrin e personit që është në krye të atij vendi të vuajtjes së dënimit.

Ministri Manjani ka vijuar me deklarata, ndërsa edhe IShTI ka reaguar menjëherë sapo është hedhur “faji” mbi një bombol gazi. Sipas tyre zjarrvënia është e qëllimshme dhe se nuk ka të bëjë aspak me një shpërthim të bombolës. Megjithatë është prokuroria tashmë që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me shkaqet, ndërsa janë disa versione në lidhje me aktin e rëndë. Ka dyshime që i riu edhe të jetë vetëdjegur, të jetë sulmuar dhoma e tyre nga dritarja e dhomës me të cilën kanë patur konfliktin dhe versioni i fundit është ai i dhënë nga drejtori i burgut që viktima ka qenë duke gatuar dhe është djegur nga pakujdesia. Përveç ministrit të drejtësisë asnjë instancë tjetër nuk ka reaguar mbrëmë, madje as opozita!

Njeriu i afërt i drejtorit të burgut në krye të grupit të kokainës së “Ballkanit”

Gjergj Prendi, i cili është vënë nën akuzë vetëm nga të burgosurit e burgut të Shënkollit ditën e djeshme për dhënie urdhri për mosndërhyrje, bëhet me dije se është vendosur në krye të këtij burgu në kohën kur u pezulluar Kant Ndoi, personi që u përfshi në një tjetër skandal, po që kishte të bënte me lirimin e një të kërkuari. Megjithatë, edhe vetë ministri i drejtësisë, mbrëmë e ka kaluar ‘topin’ në fushën e prokurorisë ku thotë që të arrijnë të hetojnë gjithçka ka ndodhur në atë vend të vuajtjes së dënimit në të cilin ka ndërruar jetë një person dhe janë plagosur disa të tjerë.

Mirëpo, duke lënë në një anë akuzën që ka dalë nga ana e të burgosurve të cilët jo vetëm e kanë akuzuar Gjergj Prendin për moshapjen e dyerve, por ata kanë bërë me dije ditën e djeshme se për rreth 45 minuta aty ka patur vetëm të shtëna me armë nga ana e policisë së burgut dhe asnjë veprim tjetër që t`i jepej ndihmë ndonjë personi të plagosur. Po ashtu asnjë deklaratë nuk ka dalë nga ana e stafit drejtues të burgut në të cilin ndodhi ngjarja e rëndë vrastare, ndërkohë që bëhet me dije se emri i kreut të atij burgu është mbajtur i rezervuar edhe nga ana e ministrisë dhe e Burgjeve për shkak se bëhet fjalë për një lidhje të afërt të tij me personin që u gjend në krye të transportit të drogës së grupit që u konsideruan si më të fuqishmi i kohëve të fundit që operonte në Ballkan. Vetëm për arrestimin e tyre u vunë në punë jo pak por plot 5 shtete, ndërsa në përgjimet e tyre doli që ata kishin qenë aq të zotët sa të kryenin edhe transferime prokurorësh të Krimeve të Rënda.

Versioni i drejtorit

Janë burime të besuara nga drejtoria e Burgjeve që bënë me dije se në komunikimin që kanë patur me drejtuesin e këtij burgu ai e ka sqaruar ngjarjen në një version tjetër të ngjarjes. Burimi i tha “Shekullit” se drejtori ka saktësuar faktin se viktima ka qenë duke gatuar në dhomë kur i ka shpërthyer bombola e gazit. Sipas tij, Flamuri për të shpëtuar ka hyrë në banjë dhe aty ka humbur jetën nga fakti se është asfiksuar, ndërsa më pas tymi është përhapur duke asfiksuar edhe disa të burgosur të tjerë. Sipas të dhënave e kanë patur të pamundur të ndërhyhet për të bërë të mundur shpëtimin e jetës së tij pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.

Shënjestrohet me snajper burgu i Vaqarrit, plagoset kosovari

Një i burgosur në burgun e Vaqarrit në Tiranë është qëlluar me armë zjarri. I burgosuri u qëllua teksa ndodhej në dhomën e ajrimit. Sipas raportimeve, e shtëna ka ardhur nga jashtë burgut dhe mësohet se bëhet fjalë për shtetasin nga Kosova me Lili Dulaj, 40 vjeç, i cili ka marrë një plagë në këmbë.

Shtetasi është transportuar në Spitalin Ushtarak ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa forca të shumta policie kanë mbërritur në institucionin e vuajtjes së dënimit, ndërkohë që kanë kryer edhe hetimet e para. Është krehur zona përreth pasi ka dyshime që arma e përdorur për të qëlluar në ambientet e brendshme të burgut ka qenë snajper. 40-vjeçari nga Kosova mësohet se është në qeli për dhunë në familje, akuzë kjo që ka bërë të ndryshohet dyshimi për shënjestrën e sulmit. Ngjarja ndodhi vetëm pak çaste pas asaj të burgut të Shënkollit, ndërsa deri orëve të vona të së djeshmes nuk është bërë e ditur se kush ka qenë objektivi i atij atentati. /Shekulli/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*