Lajme

Hill: Islamistët nuk do ta ndryshojnë Kosovën, të mbikëqyren

Diplomati amerikan, Christopher Hill, tha se dukuria e ekstremizmit islamik në një mënyrë apo në tjetër nuk mund të shndërrohet në një ndryshim të rëndësishëm në situatën e Kosovës. Megjithatë nuk besoj se duhet të merret me lehtësi dhe nënvlerësim. Ajo duhet të mbikëqyret.

Christopher Hill është një protagonist i historisë moderne të Ballkanit, gjegjësisht të Shqipërisë në fillim të viteve 90, dhe të Kosovës në fund të atyre viteve. I lindur në një familje diplomatësh si tregon në librin e tij më të ri në shqip “Pararoja”, ai ka jetuar në Beograd që në moshën 8 vjeç. Është rikthyer si ndihmësatashe tregtar i ShBA-ve në moshën 25 vjeç, kur Tito vdiq.

Është emëruar në Tiranë, si i ngarkuar me punë, sapo Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me ShBA. Ka punuar me Hollbruk në misione të ndryshme në Ballkan. Më pas ka qenë ambasador në Maqedoni, drejtues i proceseve negociatore të Kosovës në Rambuje, në vitin 1999 dhe ka vijuar më pas të merret me krizat më të rëndësishme të botës si Iraku dhe Koreja e Jugut në rolin e ambasadorit. Është konsideruar si njeri nga diplomatët më të mirë të ShBA-ve në dhjetëvjeçarët e fundit.

Kristofer Hill rikthehet në Tiranë për t’u nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me urdhrin e Skënderbeut me rastin e njëzetë e pesë vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-ShBA. Universitet Europian i Tiranës i akordoi një nderim akademik, të cilin çuditërisht nuk ka menduar t’ia japë asnjë universitet i Kosovës. Presidenti Thaçi i cili gjendej në Shqipëri, ndoshta për arsye agjende, nuk erdhi si parashikohej në ceremoninë universitare.

Mbase marrëdhëniet mes tij dhe Hill prej Rambujesë nuk ishin të mira. Ndaj 25 vjet më pas, ambasadori Hill foli para ish miqve, akademikë dhe politikanë të Shqipërisë, ku shquhej Pandeli Majko. 

“Nëse do të ma kishit dhënë këtë titull 25 vjet më parë”, tha Hill me sens humori, -mbase do të më kishte ndihmuar më shumë në karrierën time, por ndoshta atëherë nuk isha kaq i ditur sa sot”.

 “ Kur po ulesha mbi Tiranë, më dukej se po zbrisja në një vend familjar, por pastaj nuk njoha asgjë: aeroport i ri, rrugë të reja, pemë të reja, dhe Universitete të reja. Po ecni në drejtimin e duhur”, i tha Hill audiencës së tij të Shqipërisë. Në përfundim të ceremonisë, ai firmosi autografe për librin e tij në shqip “Pararoja” dhe dha këtë intervistë për publikun kosovar.

Shkëlqesia juaj, i nderuar ambasador, do vlerësonim disa komente prej jush. Ministri i jashtëm i Kosovës, z Enver Hoxhaj, ka shkruar kohët e fundit një libër të quajtur “Ngritja e një shteti”, duke lënë të nënkuptohet se ai ka patur rol themeltar në këtë lindje. Edhe ju keni të drejtë ta pretendoni rolin e nënës së lindjes (mamisë)për shtetin e ri, një proces që nuk ndodh shpesh në kohën tonë. Si ju dukej atëherë ky proces dhe si ju duket sot fëmija i ri ?

Pa dyshim që ishte një proces shumë i vështirë. Ne duhet të diskutonim, të negocionim me një diktator shumë të vështirë nga Serbia, Sllobodan Millosheviçin. Gjithashtu na është dashur të diskutonim, të negocionim me vendet evropiane që nuk ishin shumë në ankth, apo nuk e çanin kokën për të ecur në drejtim të pavarësisë së Kosovës , por përkundrazi do donin të gjenin sa më shumë zgjidhje që ishte e mundshme në linjën e autonomisë. Pra na u desh, kështu që të punonim me shumë palë të vështira.

Mendoj në fund të fundit me mirëkuptimin e të gjithëve, që pala kosovare ishte e përgatitur për të punuar me komunitetin ndërkombëtar, por pala serbe nuk ishte e përgatitur për të punuar me të.

E gjitha kjo krijoi një situatë të qartë, apo një situatë akoma më të qartë, ndaj ne ecëm kësisoj përpara në këtë linjë. Tani detyra nuk është përfunduar  sepse ka një numër shtetesh evropiane që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por sigurisht që është bërë një përparim i madh, dhe mendoj se njerëzit e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku, lipset të bëhen bashkë, veçanërisht në aspektet e vështira të problemeve me të cilat sfidohet Kosova. Pra jam optimist, por e di se ky proces do të marrë shumë kohë.

A ishit të qartë ju për fundin e procesit që atëherë-pavarësimin e Kosovës ?. Si ju duken sot me kostumin e udhëheqësve të shtetit të ri- komandantët e djeshëm, apo negociatorët e Rambujesë, proces negociator që ju e drejtuat?

Po, unë mendoj se çka ishte e rëndësishme në procesin e Rambujesë, ishte se të gjithë udhëheqësit e Kosovës, të të gjitha palëve, qoftë nga UÇK, qoftë nga LDK, apo intelektualë të pavarur, erdhën bashkë, u bënë bashkë, u morën vesh rreth një diçkaje të përbashkët. Nuk ishte e lehtë të merreshe vesh rreth kësaj marrëveshje- një marrëveshje për autonomi të gjerë, por çfarë ishte e rëndësishme, ishte se serbët nuk e pranuan këtë marrëveshje !

Pra, serbët e vendosën veten në pozitat e kokëfortëve, të paaftë për t’u marrë vesh. Unë mendoj se udhëheqësit kosovarë bënë diçka për të cilën ne i çmuam shumë, secilin prej tyre. Unë mendoj se Kosova në një kuadër më të gjerë,- e di se sot ju keni debat të mprehtë politik, konkurrencë të mprehtë politike brenda vendit- ka arritur ta administrojë drejt këtë konkurrencë, duke i bërë njerëzit të jenë të gjithë bashkë. Kjo është ndjesia e përgjithshme dhe ne presim të shohim më shumë përparim në këtë drejtim.

A e kishit menduar ndonjëherë lindjen e radikalizmit fetar në Kosovë, në përmasat e sotme, apo gjithçka ju duket brenda normalitetit?

Unë mendoj se të gjithë vendet në rajon, por jo vetëm, janë duke u ballafaquar me të njëjtin problem, me të njëjtin vështirësi, e cila duhet të mbikëqyret- e them këtë dy herë, të mbikëqyret me vëmendje të madhe, në mënyrë që ajo të përmbahet brenda kufijve normalë.

Kuptimi, njohuritë e mia rreth kësaj dukurie- unë e di se nga Kosova kanë ikur disa qindra vetë në Siri-, dhe e përsëris se është një dukuri që duhet kontrolluar me vëmendje. Në një shikim më të përgjithshëm, unë nuk besoj se kjo dukuri në një mënyrë apo një tjetër do të shndërrohet në një ndryshim të rëndësishëm në situatën e Kosovës. Megjithatë nuk besoj se duhet të merret me lehtësi dhe nënvleftësim. Ajo duhet të mbikëqyret !

Pritet të fillojë punë Gjykata Speciale për të ashtuquajturat krime të luftës nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK-së, e drejtuar nga një amerikan. A besoni se ajo do të ketë shumë punë dhe se një pjesë e atyre komandantëve mund të përfundojnë në bankën e të akuzuarve ?

Sigurisht është nevoja që disa njerëz të përballen me drejtësinë. në këtë moment nuk jam i përgatitur për të thënë se ata janë të pafajshëm apo jo, apo cila është përmasa e krimeve të tyre. Për këtë janë gjykatat dhe le të respektojmë pavarësinë e tyre. unë besoj se procesi është i mirëpritur dhe shpresoj se procesi do të arrijë objektivat e dëshiruara.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*