Lajme

Haradinaj mirëpret investimin e Wesley Clark-ut

Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është i mirëseardhur investimi i kompanisë “Envidity” të gjeneralit Wesley Clark për të hulumtuar pothuajse një të tretën e territorit të Kosovës për qymyr.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për KALLXO.com, e ka mirëpritur një investim të tillë në Kosovë duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë kujdes në parametrat e tjerë të këtij investimi.

“Është e mirëseardhur. Ideja që me ardhë investitorë potencialë në Kosovë është e mirëseardhur, ne e mirëpresim këtë. Duhet institucionet e vendit, qeveria të kenë kujdes me të gjitha ato parametra të punës që të kujdesen edhe për ambient, për siguri, e për të gjitha tjerat, por është i mirëseardhur,” tha Haradinaj.

Kompania “Envidity” synon që të bëjë gazifikimin nëntokësor të qymyrit, por është lënë e hapur edhe mundësia e ndërtimit të termocentralit.

E Haradinaj e mirëpret edhe ndërtimin e një termocentralin në zonën e Dukagjinit.

“Tani teknologjia është më e mirë se kjo që kemi sot. Me mujt me i ndërru me një që ndërtohet sot kishim me qenë të gëzuar. Nashta kjo që përdoret sot si teknologji, pas 40 vjetëve është e vjetër, por teknologjia e re është dukshëm e avancuar, ndotje gati se s’ka fare, mbetje s’ka fare, sepse janë procese që kanë avancuar në botë, por është e mirëpritur,” tha në mes tjerash Haradinaj.

Megjithatë ai ka kërkuar që të bëhet shumë kujdes në mënyrë që mos të dështojnë si privatizimi i postës apo Brezovicës.

“Duhet të jemi të kujdesshëm e seriozë që të mos dështojmë si dështuam me privatizimin e postës dhe Brezovicës. Pra, duhet qeveria e institucionet e vendit të kenë kujdes që të mos bëjnë asnjë veprim apo manovrim të gabuar e që të turpërohemi para investitorëve seriozë,” vlerësoi kreu i AAK-së Haradinaj.

Vendimi i qeverisë për licencën e kompanisë “Envidity” kaloi në Komisioni për Zhvillim Ekonomik më 20 shtator.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*