KosovaToplajm

Haradinaj: Komisioni i gatshëm të punoj 24 orë për të kthyer Thaçin

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, i kryesuar nga kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, ka diskutuar sot lidhur me arrestimin nga Serbia të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, nënkolonel Nehat Thaçi. 

Përkitazi me këtë çështje, Daut Haradinaj, tha se arrestimi i nënkolonelit Thaçi e dëshmon qartë politikën e vjetër të Serbisë në raport me Kosovën. “Arrestimet e njëpasnjëshme, ndalimet, apo edhe fyerja që po i bëhet uniformës së Kosovës, është dëshmi se Serbia po vazhdon me mentalitetin e vjetër. Ky është vazhdim i praktikave millosheviqiane”, tha Haradinaj. 

Ndërkaq, Ganimete Musliu, si iniciuese e këtij takimi, tha se nuk ka më asnjë vlerë që të vazhdohen bisedimet me Serbinë, derisa ka raste të tilla. “Ose duhet të kërkojmë reciprocitet të marrëveshjeve që nënshkruhen në Bruksel, ose duhet të marrim vendim për vazhdimin ose jo të bisedimeve me Serbinë që zhvillohen në Bruksel”, tha ajo, duke apeluar tek qytetarët e Kosovës që të jenë të kujdesshëm dhe mos të kalojnë nëpër territorin e Serbisë, duke përmendur me këtë rast se është shkelur marrëveshja e lëvizjes së lirë. 

Anëtari Nuredin Ibishi, tha se arrestimi i Nehat Thaçit është një goditje e rëndë për vendin dhe se kjo është vazhdimësi i një regjimi të tillë, sikurse ishte në të kaluarën. Ai tha se autoritetet tona duhet të ndërmarrin masat e duhura për lirimin e Thaçit. Ndërkaq, shtoi se kjo tregon një sistem fragjil në sektorin e sigurisë, duke përmendur me këtë rast edhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar më këtë çështje.

Ndërkaq, Rexhep Selimi, theksoi se të pranishëm në këtë takim duhet të ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo edhe Policisë së Kosovës, ndërkaq shtoi se ky nuk është rasti i parë kur xhandarmëria serbe arreston policë të Kosovës. Me këtë rast ai përmendi rastin e arrestimit të policëve në Dumnicë.

“Ky qenka normalizim i marrëdhënieve me Serbinë?! Nëse qeveria serbe shkel dhe nuk respekton ligjet Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, të njëjtën gjë po e bënë Qeveria e Kosovës e cila nuk po i respekton ligjet dhe Kushtetutën e saj, kur bëhet fjalë për arrestimin e atyre që duhet të arrestohen”, tha Selimi, duke përmendur me këtë rast paralajmërimin për vizitë të Gjuriqit në Kosovë.

Selimi vlerësoi se raportet më të mira ndaj Serbisë do të ndërtohen me aplikimin e reciprocitetit, në të gjitha fushat. 

Zafir Berisha, fillimisht tha se formimi i një Task Force nga institucionet tona për lirimin e Thaçit është humbje kohë. Sipas tij, ministrja Edita Tahiri është dashur të tërhiqet nga bisedimet me Serbinë.

“Shteti fqinj ka fyer rëndë shtetin tonë me arrestimin e zyrtarit të lartë. Duhet të tregohet uni shtetëror në raport me Serbinë dhe Kosova të tregohet se është shtet dhe të sillet si shtet”, tha Berisha. 

Zv.kryetari i parë i Komisionit, Fadil Demaku, tha se institucionet tona duhet të merren me fenomenin që po ndodh dhe fenomenin që ka ndodhur në të kaluarën.

“Institucionet e Kosovës duhet të kalojnë përtej fazës deklarative dhe të ketë një reagim me përgjegjësi shtetërore nga të gjitha autoritet e Kosovës”, tha Demaku.

Ndërsa, Anton Çuni, tha se Serbia është shumë aktive ndaj përndjekjes së çlirimtarëve, kurse Kosova është shumë pasive në raport me okupuesit. “Të gjitha institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe deri tani këto institucione nuk kanë shënuar ndonjë performancë në nivelin e duhur për mbrojtjen e qytetarëve të saj dhe kanë qenë pasive në raport me krimet e regjimit serb në Kosovë”, tha Çuni.

Edhe Qerim Bajrami, tha se arrestimi i zyrtarit të lartë policor është i papranueshëm dhe kjo mund t’i ndodhë secilit qytetar të Kosovës.

“Dikush kohëve të fundit po i dikton krizat në Ballkan, duke nxitur kështu atmosferë të tensioneve mes shteteve dhe popujve”, tha Bajrami, duke shtuar se pas këtij rasti mund të ndërmerren masa reciproke, ndërkaq kërkoi që në këtë çështje të marrë rolin e saj edhe komuniteti ndërkombëtar.

Zv.kryetari i dytë i komisionit, Bojan Mitiq, duke shprehur qëndrimin e tij tha se nuk është në dijeni se për çfarë arsye ka ndodhur arrestimi i Thaçit, meqë, sipas tij, akoma nuk ka ndonjë informatë zyrtare.

“Ky arrestim ka një prapavijë tjetër, sepse z. Thaçi shumë herë ka kaluar në territorin e Serbisë dhe nuk është arrestuar. Shtrohet pyetja pse është arrestuar në këtë moment dhe në të gjitha këto pyetje duhet të përgjigjet dikush tjetër dhe të shohim pastaj se çfarë konkretisht mund të ndërmerret”, tha ai. 

Krejtësisht në fund të takimit, Komisioni ka miratuar këto konkluzione: Komisioni pasi ka diskutuar rastin e arrestimit të oficerit të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe dhe pasi ka shprehur shqetësimin e tyre dhe revoltën e skajshme lidhur me veprimet të tilla të shtetit serb, kërkon që urgjentisht të lirohet oficeri Nehat Thaçi. Komisioni gjithashtu, u bënë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që të ushtrojnë trysninë e tyre mbi Beogradin zyrtar për ta liruar nënkolonel Nehat Thaçin, si dhe të ndërpresë praktikat e tilla të mentalitetit të vjetër. Rruga integruese, ndërshtetërore po dëmtohet seriozisht me veprimet e tilla dhe Komisioni kërkon zbatimin e masave reciproke ndërmjet dy shteteve. /KI/

Komentoni