Kosova

Haradinaj: Fushatë antikushtetuese e Thaçit, Mustafës e Veselit

Sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, fushata që po bëjnë Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit, për të imponuar votimin e demarkacionit me Malin e Zi, është shkelje flagrante e Kushtetutës.

Ja komunikata e plotë e Ramush Haradinaj:

Fushata që po bëjnë Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit, për të imponuar votimin e demarkacionit me Malin e zi, është shkelje flagrante e Kushtetutës.

Neni 70, paragrafi i parë në lidhje me nenin 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siguron se ndaj deputetëve nuk mund të ushtrohet presion; nuk ka mandat të detyrueshëm dhe se deputetët përfaqësojnë sovranin e votojnë, duke u bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe në Rregullore të Kuvendit. Pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe Kosova nuk është Monarki, prandaj kthejuni punëve tuaja dhe mos u bëni presion deputetëve.

Në këtë vend gjithmonë ka pasur disa njerëz që për pare e për interesa kanë qenë në gjendje ta shesin edhe babën edhe nanën, por shumica gjithmonë ka qenë në krah të kësaj Kosove. Deputetët e Kosovës nuk u janë nënshtruar shantazheve as në kohën e Millosheviqit dhe kanë ditur që edhe nën rrethim, edhe formalisht, t’i nisin themelet e kësaj Republike.

Kosova do t’i ketë kufijtë e saj, pa i marrë dhe pa i dhënë askujt. Do ta ketë të ardhmën e vet euroatlantike dhe rrugën e pakthyeshme drejt BE-së dhe integrimeve të tjera. Por Kosova sot është e papërfunduar dhe populli i saj nuk do ta lejojë askend që t’ia vrasë të ardhmën, qoftë edhe me do farë marrëveshjesh të dyshimta, me njerëz të dyshimtë e pa fije transparence.

Kjo duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë! “.

Komentoni