Lajme

Hapet “Java e gruas” në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, tha se pjesëmarrja më e madhe e grave në shoqërinë civile, politikë dhe ekonomi qon në përparim më të madh të Kosovës. Ambasadori Delawie, këto komente i bëri në hapjen e “Javës së Gruas”, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik me përkrahjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

“E dimë se kur gratë fuqizohen të marrin pjesë, pa frikën e dhunës dhe hakmarrjes, ato marrin pjesë në mënyrë me efektive në komunitet. Dhe kur gratë kanë zë më të fortë, edhe vet institucionet ka më shumë gjasë që të jenë përgjegjëse ndaj nevojave të komunitetit…Fuqizimi, barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë dhe nuk arrihen brenda natës, por ja vlejnë”, tha Delawie.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se vendi është ende larg për ta mbyllur hendekun gjinor. Shifrat e pjesëmarrjes së grave flasin për nevojën e madhe për t’i fuqizuar ato tha Jahjaga.

“Sipas të dhënave, 60 për qind e të diplomuarve në universitetet në Kosovë janë femra. Por, vetëm 21 për qind e femrave kërkojnë punë krahasuar me 61për qind të meshkujve. Ky raport është goxha shqetësues edhe kur bëhet fjalë për pozita të larta në sektorin publik, menaxhment, apo në legjislativ ku vetëm një në gjashtë persona që kanë pozita udhëheqëse në këto fusha është grua. Mosbarazi edhe më e madhe ekziston në përbërjen e qeverisë së Kosovës, ku vetëm 10 për qind e ministrive udhëhiqen nga gratë”, u shpreh Jahjaga.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pjesëmarrja e grave në tregun e punës është ende papranueshëm e ultë duke shtuar se politika në Kosovë duhet të bëjë edhe më shumë në këtë fushë.

“Shumë prej tyre nuk mund të gjejnë punë, ndërsa një pjesë e madhe janë edhe në presion të papranueshëm që të fokusohen në punë shtëpiake nga familja dhe rrethi i tyre”, u shpreh presidenti Thaçi.

Raportet e herëpashershme vënë në pah pozitën e vështirë dhe jo të barabartë të grave në Kosovë, ku ndër problemet kryesore mbesin dhuna ndaj gruas, qasja në prona, pjesëmarrja jo e barabartë e femrave në arsim, politikë dhe fusha të tjera.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*