Kosova

Hapësirë e re për rrobat e viktimave të luftës

Rrobat e viktimave të luftës së fundit në Kosovë pritet që në të ardhmen të mos dëmtohen dhe të jenë në një hapësirë të sigurt.

Që nga sot, këto rroba do të vendosen në një lokacion të ri, lokacion ky i ndarë nga Ministria e Administratës Publike.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur tregoi për KALLXO.com se në çfarë kushte do të ruhen këto rroba në të ardhmen.

Ai theksoi se rrobat e viktimave të luftës do të jenë në një hapësirë ku do të mbrohen nga zjarri, si dhe do të kenë ajër e ndriçim të mjaftueshëm.

“Është duke u punu në mënyrën më të mirë në kuptimin profesional, rrobat janë duke u pastruar dhe ripaketuar, me qëllim që të vendosen në një hapësirë shumë të mirë”, tha Gara.

Këto rroba ishin mbajtur deri tash në një tendë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Drejtori i këtij instituti Arsim Gërxhaliu, tregoi se gjithmonë punonjësit e IML-së kanë bërë presion që të sigurohet një vend i përshtatshëm për rrobat.

“Gjithmonë kemi kërkuar dhe kemi bërë presion që këto rroba të vendosen në një lokacion të sigurt. Derisa, sot, në orën 10:00 ka filluar dorëzimi i rrobave të viktimave të luftës të cilat ndodheshin në IML që nga viti 2003”, tha Gërxhaliu.

Ai tregoi se rrobat janë pastruar dhe paketuar.

“Të njëjtat janë pastruar përmes një projekti nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, andaj sot edhe filloi pranim- dorëzimi në mes IML- së dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur “, tha Gërxhaliu.

Ndërsa Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit tregoi se “këto rroba i përkasin muzeut apo kompleksit memorial dedikuar viktimave të luftës”.

KALLXO.com mësoi se në ardhmen mund të krijohet me këto rroba një muze i tipit të Holocaust-it për luftën e Kosovës.

Komentoni