Lajme

Hapen mundësitë për studentët e UP, punë praktike në institucione publike

Studentët e UP do të kenë mundësinë tani e tutje të kryejnë praktikë në profesionet e tyre në institucionet publike. Kjo falë një marrëveshje bashkëpunimi të Universitetit të Prishtinës me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se MAShT për fillim do t’i punësojë 100 studentë, për të vazhduar kështu çdo tre muaj si dhe duke i paguar me pagë mujore minimale për punën e tyre. Me këtë rast ai ftoi të gjithë kolegët ministra që ta ndjekin këtë shembull që të marrim sa më shumë studentë.

“Duke marrë studentë në praktikë, ne ia mundësojmë që të krijojnë aftësi praktike të punës dhe ata nesër kualifikohen më lehtë për tu punësuar. Pra gjatë studimeve ata edhe përgatiten ën pikëpamje profesionale për profesione të caktuara por edhe marrin aftësi praktike dhe dalin të kompletuar dhe gjasat për punësimin e tyre janë shumë të mëdha”, tha Bajrami.

Kurse rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se universiteti që ai e drejton ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me kompani dhe institucione publike e private për punë praktike, në të cilat studentët po tregohen shumë të suksesshëm.

“UP është në rrugën e tij të reformimit, do me thënë jemi duke bërë reforma në të gjitha fushat. Natyrisht se të gjitha institucionet publike por edhe kompanitë private iu kanë përgjigje kësaj kërkese që studentët tonë ta kryejnë punën praktike, që studentët tonë ta kenë shansin ku t’i zbatojnë njohuritë e tyre në bazë të asaj që ne jemi të informuar janë duke e kryer punën më të mirë të mundshme, janë duke treguar shumë sukses, institucionet janë shumë të kënaqura, institucionet private të cilat janë duke i punësuar studentët tanë që është një informatë shumë e mirë”, është shprehur Dema.

MAShT fillimisht do t’i punësojë rreth 100 studentë, të cilët do të kenë mundësi të punojnë në institute dhe agjenci me të cilat menaxhon MAShT-i dhe të paguhen me pagë minimale, e cila është në Kosovë.

Ndërkohë, pas tre muajve do të punësohen 100 të tjerë dhe do të vazhdojë kështu gjatë gjithë vitit. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*