Kosova

Hamiti: Projekti për xhaminë është përzgjedhur, s’e di pse po zgjatet kjo çështje

Xhabir Hamiti, profesor i Studimeve Islame, në Interaktiv të KTV-së, ka folur për temën që është riaktualizuar së fundmi – ajo e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

Ai është shprehur i habitur se përse pikërisht tani, rreth 5 vjet pas vendimit për projektin fitues të ndërtimit të xhamisë, është riaktualizuar kjo temë.

Sipas Hamitit, asnjë besim fetar nuk e konsideron se një objekt fetar ndërtohet për inat të një besimi tjetër. Thotë se xhamia në fjalë duhet të ndërtohet në Prishtinë, pasi është nevojë e besimtarëve.

“Sa e kam parë përmbajtjen e peticionit, thuhet se ky projekt gjoja nuk është në përputhje me arkitekturën rrethuese. Kërkojnë ndryshim të projektit sepse është i tejkaluar, sipas tyre. Por një pjesë tjetër thonë se nuk është i tejkaluar dhe duhet ndërtuar”, ka thënë Hamiti.

Ai thotë se meqenëse komisioni e ka përzgjedhur këtë projekt, në mesin e rreth 120 kompanive projektuese, atëherë edhe s’ka pse të jetë kundër një projekti të tillë.

Hamiti nuk deshi të komentojë nëse projekti fitues, që i ngjason arkitekturës së Perandorisë Osmane, po bëhet me qëllim të ndikimit të Turqisë në Kosovë, ndonëse ndërtimin e saj pritet ta bëjë një kompani turke, e njëjta që ka ndërtuar edhe xhaminë në Tiranë.

Sa i përket projektit të Zaha Hadidit, ai tha se nuk është ekspert i kësaj fushe, mirëpo tha se “për shijen time, ndoshta do ta kisha zgjedhur ndonjë projekt tjetër, por kjo përzgjedhje është bërë nga profesionistë të fushës”.

Duke folur për afatet kohore për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, profesori Hamiti tha se janë tejkaluar të gjitha afatet dhe theksoi se nuk duhet të luhet me ndjenjat e qytetarëve për këtë çështje.

Komentoni