Gruevski: BE-ja duhet të dënojë platformën shqiptare

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, thotë se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’i ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës...

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, thotë se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’i ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Gruevski këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për televizionin pro-qeveritar kanal 5. Ai ka thënë se dokumenti nuk favorizon asnjë parti politike ndërsa ruan karakterin unitar të shtetit, por pa dhënë detaje tjera mbi përmbajtjen e tij.

Nga Lidhja Social-Demokrate ende pa e pranuar një dokument të tillë janë kundër përgjigjur duke thënë se nga Gruevski presin vetëm një gjë, “sa më parë të largohet nga pushteti dhe t’i lëshojë vendin qeverisë së re”.

Kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski ka përsëritur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme, por edhe gatishmërinë që t’i jep mbështetje LSDM-së për drejtimin e qeverisë së pakicës, nëse ajo heq dorë nga mbështetja për platformën e partive shqiptare.

Ish kryeministri Gruevski ka thënë se këtë do t’ia kërkojë edhe komisionarit Johanes Hahn gjatë vizitës, të martën në Shkup.

“Ajo që e presim nga ai është që të dënojë platformën e arritur në Tiranë, të dënojë përzierjen e shteteve tjera në punët e brendshme të Maqedonisë. Gjithashtu kërkojmë nga ai të që qëndrojë pas parimit në të cilin edhe vet BE-ja insistonte në vitin 2008 që qeveritë në Maqedoni të formohen nga partitë fituese tek blloku shqiptar dhe maqedonas, në këtë rast mes VMRO-së dhe BDI-së. Nëse ndodhë e kundërta, do të bëhet keq, do të ketë probleme që do të dëmtojnë të ardhmen e Maqedonisë”, ka deklaruar Gruevski.

Ndërkohë, përveç Gruvskit, edhe këshilli i protestave që ka mbështetjen e partisë së tij ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dënimin e platformës shqiptare, madje një kërkesë të tillë drejtuesit e këshillit thonë se do t’ia dorëzojnë vet komisionarit Johanes Hahn.

“Bashkimi Evropian për momentin po tregon një sjellje injoruese ndaj nesh, por njëkohësisht edhe ndaj qytetarëve të Maqedonisë. Ne, do t’ia bëjmë me dije se nuk do të lejojmë formimin e qeverisë e cila do të punojë mbi bazën e një platforme të përgatitur jashtë shtetit. Kush do qoftë që zgjedhet kryetar i Kuvendit kërkojnë që të distancohet dhe ta hedh poshtë një platformë të tillë pasi me do të kemi shtet binacional, shtet federal dhe kjo për ne është e papranueshme. Ne do të mbrojnë deri në fund karakterin unitar të shtetit”, ka deklaruar Igor Durlovski nga këshilli protestuese “Për Maqedoni të bashkuar”.

Duke komentuar pozicionet e tillë, në veçanti ato të Gruevskit dhe gatishmërinë e tij që deri në fund të kundërshtoj qeverinë e re, njohësit e çështjeve politike besojnë në presionet e faktorit ndërkombëtar për parandalimin e një përkeqësimi të gjendjes dhe formimin e qeverisë nga partitë që tanimë kanë formuar shumicën e re parlamentare.

“Këto besoj se janë vizita në vazhdën e mos lejimit të destabilizimit të Maqedonisë për shkak se mënyra se si shkon procesi i zgjidhjes së bllokadës të cilën e kanë krijuar presidenti Ivanov, Nikolla Gruevski dhe mbështetësit e tyre të VMRO-së, së bashku edhe më institucionet e drejtësisë, mundet që Maqedoninë edhe më shumë ta destabilizojnë. Kështu që ardhjen e komisionarit Hahn e shoh si një përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare që të zhbllokojë procesin dhe të lejojë formimin normal të institucioneve ashtu siç duhej të behej para disa muajve”, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Ai beson se Gruevski është i vetëdijshëm për humbjen e fuqisë andaj synim parësor ka shpëtimin e vetes.

Nëse këtë ia garanton bashkësia ndërkombëtare, Sinani thotë se ai është i gatshëm të lejoj formimin e qeverisë së re e cila po mbahet e bllokuar nga presidenti Gjorge Ivanov, i zgjedhur në këtë post nga VMRO-ja e Gruevskit. 

Kategoritë
RajoniToplajm
S'ka komente

Komentoni

*

*

Lajme të tjera