Lajme

Grabovci: Organet e drejtësisë të shikojnë ligjshmërinë e përgjimeve

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci ka reaguar pas përgjimeve të publikuara në media.

Deputeti i PDK-së, u shpreh i pasigurt rreth vërtetësisë së përgjimeve, derisa tha se ndihet “i qetë dhe i pastër”.

“Të them të drejtën nuk i kam dëgjuar ato përgjime, por më së paku më bën përshtypje a është zëri im, apo s’është zëri im. Do të kërkoj ndihmë nga organet përkatëse, t’i drejtohemi atyre dhe t’i vërtetojmë ligjërisht [përgjimet]”, ka thënë Grabovci për TV Dukagjinin.

Sipas Grabovcit, këto audio-incizime janë bërë me një tendencë të caktuar, e cila është eliminimi politik i tij.

“Shiko, unë e di që edhe këtë pyetje po e bëni formalisht, sepse e dini edhe ju, dhe tendencat janë jo për të ndarë drejtësi, por për të më eliminuar politikisht”, ka thënë ai.

Grabovci ka theksuar se është “shërbëtor i popullit” dhe se ka bërë përpjekje për të ndihmuar shtetin e Kosovës.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*