Lajme

Gjysmën e vitit Franca, gjysmën Spanja, ishulli 50 metra që ndryshon sovranitet çdo 6 muaj

Gjashtë muaj i Francës, gjashtë muaj i Spanjës. Në kufirin midis dy vendeve, pak para grykëderdhjes së Bidasoas në Atlantik, në mes të lumit, gjendet një copëz tokë e pyllëzuar.

Më 1659 aty u takuan sovranët e dy vendeve për të firmosur Traktatin e Pirenejve, i cili i dha fund Luftës 30-Vjeçare. Por në të vërtetë, për Ishullin e Fazanëve, “lufta” nuk ka pushuar kurrë.

Meqenëse nuk mund të ndahej përgjysmë, pasi nuk arrin as 50 metra gjatësi, Ishulli i Fazanëve u bë një territor i përbashkët, ku më tepër se një vend ushtron sovranitet.

Çdo gjashtë muaj aty kryhet ceremonia e vogël e transferimit të sovranitetit dhe është edhe momenti i vetëm kur mund të vihet këmbë atje. Nga 1 shkurti deri më 31 korrik ishulli i përket Spanjës dhe administrohet nga komuna e Irunit. Nga 1 gushti i kthehet bashkisë franceze të Hendayes, e cila e administron deri më 31 janar.

Duket e çuditshme, por në shekuj ky ishull ka përfaqësuar një “zonë të lirë” të rëndësishme. Ishulli i Fazanëve është përdorur si vend takimi midis përfaqësuesve të Francës e Spanjës, si vend shkëmbimi i robëve të luftës, por edhe si skenë e ngjarjeve të rëndësishme, si fejesat e martesat mbretërore të kurorave respektive.

Një territor “i çmuar”, i ndaluar për vizitorët. Ishulli mund të shihet vetëm nga brigjet e lumit Bidasoa, nga qyteza Hendaye në Francë dhe ajo Irun, në Spanjë. Një “dënim” që e bën atë copë toke në kufi edhe më mahnitëse.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*