Kosova

Gjykohet zyrtari që pagoi rrymën e tij me paratë e komunës

Zyrtari për paga dhe pagesa i Komunës së Rahovecit, Hasan Hoti, akuzohet se pagoi me mjetet e buxhetit të Komunës fatura të rrymës të dy banesave, njëra prej të cilave rezulton të jetë e tij.

I akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, zyrtari i Komunës së Rahovecit, Hasan Hoti, tha në Gjykatën e Gjakovës se nuk e di se si ka ndodhur që me mjete të Komunës ka paguar fatura të energjisë elektrike të disa objekteve private.

“Si ka ndodhë që bash kjo banesë është pagu me buxhet të Komunës, atë unë nuk e di. Unë kam pagu banesa vetëm nëpërmjet faturave që ka pru KEDS-i për njehësorët e Kuvendit Komunal . Unë kurrë nuk kam çu sen në KEDS, qysh e kanë pagu KEDS-i le të merren punëtorët e KEDS-it”, tha në seancën ku dha mbrojtjen e tij i akuzuari Hoti.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com përshkruhet mënyra se si Hoti në cilësinë e personit zyrtar kishte keqpërdorur mjetet buxhetore të komunës së Rahovecit për të paguar faturat e rrymës të dy banesave private, njëra prej të cilave rezulton të jetë e tij.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprimet e tij e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Rahovecit në vlerë të përgjithshme prej 2 mijë e 371 euro.

“Në periudhën kohore nga muaji tetor i vitit 2010 e gjer më 22.04.2014 në Rahovec duke qenë në pozitën e personit zyrtar për paga dhe pagesa në Kuvendin Komunal të Rahovecit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që për periudhën e lartcekur kohore ka futur në faturat e pagesave të rrymës të shpenzuesve të energjisë elektrike pagesa e të cilave shpenzime bëhet nga buxheti i Komunës së Rahovecit njehsorin e shfrytëzuesit privat G.G. në shumën prej 1.394.35 euro si dhe njehsorin e shfrytëzuesit privat N.H., duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Rahovecit në shumë të përgjithshme prej gjithsejtë 2.371.90 euro”, thuhet ndër të tjera në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Shpallja e aktgjykimit në rastin kundër zyrtarit për paga dhe pagesa të Komunës së Rahovecit do të bëhet të martën.

Komentoni