Kosova

Gjykata shpall të pafajshëm ish- drejtorin e Kadastrit të Drenasit

Gjykata Themelore e Prishtinë ka shpallur të pafajshëm Mehdi Kurrumelin, ish-drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në komunën e Drenasit.

Ai bashkë me ish-kryetarin e Drenasit, Nexhat Demaku dhe Shefqet Morina, referent për ndërrime kadastrale në komunën e Drenasit janë akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh të cilën komuna e konsideron të veten. Në këtë pronë është ndërtuar shkolla.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar ish-kryetarin e Drenasit me 1 vit e 6 muaj burg, Kurrurmelin me 1 vit, ndërsa Morinën e kishte shpallur të pafajshëm.

Në prill të vitit 2016, Gjykata e Apelit kishte liruar Demakun, ndërsa kishte kthyer në rigjykim lëndën për Mehdi Kurumelin, që ishte dënuar me një vit burg.

Të mërkurën, pas një varg seancash, Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur të pafajshëm edhe Mehdi Kurrumelin, ish-drejtor për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në komunën e Drenasit.

Pas përfundimit të seancës liruese, Kurrumeli i tha “Zërit” se më në fund ka ngadhënjyer drejtësia.

“Më në fund drejtësia u vu në vend. Pas shumë seancave gjyqësore, për një akuzë të pabazuar dhe të pa mbështetur në fakte dhe argument, Gjykata Themelore e Prishtinës mori vendim të drejtë”, tha Kurrumeli.

Komentoni