Lajme

Gjykata e Arbitrazhit, mundësia e fundit për zgjidhjen e demarkacionit

Gjykata e Arbitrazhit me seli në Hagë, është mundësia e fundit legale për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Kështu vlerëson profesori i Të drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, në një intervistë për Radio Kosovën, ku insiston se ky mekanizëm mund të përcaktojë nëse ka qenë e saktë metodologjia që është përdorur në këtë proces. Qorrolli nuk pret shumë nga tryeza e 3 gushtit, porse thotë se konkluzat që dalin nga ajo tryezë duhet të merren seriozisht.

Profesori i Të drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, konsideron se është Gjykata e Arbitrazhit me seli në Hagë, ajo që mund t’i jap drejtim zgjidhjes së çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Në një intervistë për Radio Kosovën, Qorrolli thotë se Arbitrazhi mund të jetë mundësia e fundit legale për ta përcaktuar metodologjinë e përcaktimit të kufirit, meqenëse kontestimi i thellë bëhet për shkak të metodologjisë së gabuar, sepse është bërë vetëm demarkimi dhe jo delimitimi i kufirit.
“Arbitrazhi do të jetë një mundësi e mirë legale për të parë se cila ka qenë saktësisht metodologjia dhe për të parë përfundimisht nëse është humbur ndonjë metër katror i territorit të Kosovës, sepse ka kontestim edhe nga pala malazeze se edhe ata kanë humbur dhe përcaktimi i kufirit të bëhet mbi rregullat më të mira të së drejtës ndërkombëtare”, tha Qorrolli.

Sipas Qorrollit, në këtë proces, nuk janë ndjekur rregullat më të mira ndërkombëtare, sepse metodologjia, sipas tij, është bërë jo e duhura, duke u përdorur vetëm kadastra si element. Prandaj, Qorrolli thotë se duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për zbatimin e këtyre rregullave, ngase Kosova do të ketë në të ardhmen proces të demarkimit edhe me Serbinë.

Qeveria e Kosovës dhe çdo institucion tjetër i Kosovës duhet të jetë shumë vigjilent për të parë se rregullat më të mira ndërkombëtare duhet të plotësohen, ose të përmbushen”, tha Qorrolli.

Qorrolli nuk pret që tryeza e 3 gushtit të prodhojë ndonjë efekt të madh politik, duke pasur parasysh që karakteri i saj nuk është obligues.

“Tryeza duhet të prodhojë një situatë ku të ketë qartësi mbi të gjitha për opinionin, por edhe për çdo akterë të përfshirë në të. Nuk dua që nga tryeza të dalin të dyja palët me argumente të kundërta, sepse ajo duhet, pavarësisht jo obligueshmërisë, t’i prodhojë disa konkuza të cilat duhet t’i dorëzohen kryetarit, Kryesisë dhe grupeve parlamentare të Kuvendit dhe ato të merren shumë seriozisht”, tha Qorrolli.

Profesori Qorrolli thotë se duhet të gjendet zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi, para se marrëveshja të shkojë për ratifikim, ngase pas ratifikimit, është shumë e vështirë të ri-negociohen çështjet kontestuese të kufirit. Prandaj, ai thotë se deputetët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të jenë të sigurt se për çka po votojnë, jo të votojnë në bazë të inercionit politik, por mbi bazë të inercionit shtetëror dhe patriotik.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*