Lajme

Gjuriq kritikon “ekstremizmin” e shfaqur në Mushtisht

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se “shpërthimi i sotëm i ekstremizmit dhe urrejtjes ndaj popullit serb” në Mushtisht dëshmon se sa është “e ndezshme” gjendja e sigurisë në Kosovë duke llogaritur edhe një numër të anëtarëve të elitës politike shqiptare të cilët “më së shumti ngjallin urrejtje dhe ekstremizëm në Kosovë”.

“Ekstremizmi në Mushtisht tregon se sa larg është krahina jonë jugore nga ndërtimi i një shoqërie multietnike demokratike”, ka thënë Gjuriq në një deklaratë, transmeton Koha.net, duke shtuar se “serbët sot në Mushtisht, pavarësisht nga ‘mirëseardhja’ të cilën bënë, kanë planifikuar pjesëmarrjen në një festë fetare ortodokse sepse populli ynë i është lutur Zotit edhe në kohë më të vështira dhe nuk ka frikë as edhe nga rreziqet më të mëdha”.

“Disa ditë më parë, pasi ekstremistët shqiptarë kanë vendosur një pankartë në të cilën thirrej për urrejtjen e sotme ndaj serbëve, ne kemi paralajmëruar vizitën, dhe nëse sot nuk do të reagonin me kohë autoritetet, nuk do të ishim dëshmitarë të skenave të cilat ngjajnë në ato të masakrës së marsit të vitit 2004”, tha Gjuriq.

Gjuriq, po ashtu, ka thënë se Prishtina duhet të dijë se “urrejtja nuk mund të shërohet me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome”, por me “shembuj pozitivë, mesazhe të pajtimit dhe ndëshkimin e nxitësve të urrejtjes dhe dhunës etnike”. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*