Kosova

Gjuriq kërcënon se ndalimi i tij në Kosovë mund të përmbysë normalizimin e marrëdhënieve

I ashtuquajturi shef i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq nuk mund të shkojë nesër në Patriarkanën e Pejës, pasi kjo gjë i është ndaluar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Gjuriq në mbrëmje është drejtuar në medie duke thënë se atij i është ndaluar shkuarja në Patriarkanën e Pejës, ku sipas tij, murgeshat jetojnë në kushte shumë të vështira dhe kanë shumë nevojë për ndihmë, transmeton Koha.net.

Gjuriq nuk është kursyer as për cilësime drejt politikës kosovare.

“Kjo nuk është vetëm absurd, por është akt fëmijëror i politikës në Prishtinë. Ky është edhe sulm i turpshëm në lirinë fetare të serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai fton Bashkimin Europian që të reagojë për këtë veprim, pasi kërcënon se kjo mund të përmbys procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me anë të dialogut.

Komentoni