Lajme

Gjuriq kërcënon: Nëse pranohet marrëveshja për telekomin, jap dorëheqje

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia po ballafaqohet me një ultimatum rreth marrëveshjes për telekomin. Ai ka thënë se Serbisë po i kërkohet që të heqë dorë nga pronat e saj në Kosovë

Para Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën, është vendosur ultimatum i rëndë dhe serioz, sepse kërkohet që të hiqet dorë nga “pasuria” e Telekomit të Serbisë në Kosovë.

Këtë e ka thënë drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke shtuar se Beogradi deri të dielën duhet të deklarohet nëse e pranon ose jo “propozimin e projekt marrëveshjes për telekomunikacionin”, transmeton lajmi.net.

Gjuriq u ka thënë gazetarëve që sipas bindjes së tij të thellë ky ultimatum është i papranueshëm, që as si negociator e as si serb nuk mundet të pranoj që Serbia të heqë dorë “nga pasuria e saj në Kosovë”, duke paralajmëruar, se nëse qeveria, e cila e mbështetë pa asnjë rezerve, vendos ndryshe, ai do të jetë i detyruar që të largohet nga funksioni i kryenegociatorit serb në bisedime me Kosovën dhe nga funksioni i drejtorit të zyrës për Kosovën.

“Nga ne kërkohet që të heqim dorë nga pasuria ynë kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, por edhe me keq, që t’ia kthejmë shpinën pasurisë tonë kur bëhet fjalë për Telekomin e Serbisë. Kjo pasuri, sipas kësaj marrëveshje, më nuk është e jona, por ju takon institucioneve të shtetit të vetëshpallur, shtetit ilegal dhe të rrejshëm në Prishtinë”, ka thënë dukshëm i nervozuar Gjuriq.

Siç ka thënë, në Qeverinë e Serbisë po vazhdojnë bisedimet e vështira dhe të rënda se si duhet të shkohet tutje me këtë.

Javën e kaluar kanë dështuar negociatat treditore në Bruksel për telekomunikacionin dhe Serbia gjenden në pozitë të vështirë për të pranuar këtë marrëveshje, në të kundërtën procesi integrues drejt BE-së do të pësojë ndryshim fondamental. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*