Kosova

Gjuriq i kundërpërgjigjet Hoxhajt: Askush nuk mund të më ndalojë Kosovën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq ka thënë se askush nuk mund t’ia ndalojë atij hyrjen në Kosovë dhe se javën tjetër do të vizitojë pjesën veriore të Kosovës.

I pyetur nga gazetarët rreth ndalesës ndaj tij për hyrje në territorin e Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme, ai ka thënë: “A mendoni vërtetë se dikush mund të ma mohojë të drejtën që të jem në Kosovë?”.

Gjuriq ka siguruar gazetarët se javën e ardhshme ai do të qëndrojë në një vizitë në Kosovë, shkruan sot B92, raporton Insajderi.

“Patjetër që do të jem atje javën e ardhshme dhe do të vizitojë qytetarët në Kosovë. Ka indikacione se Enver Hoxhaj, Edita Tahiri dhe disa persona të tjerë në Prishtinë janë të përfshirë në përpjekje për të ma ndaluar lëvizjen e lirë mua dhe zyrtarëve të tjerë serbë në Kosovë. Unë jam i sigurt se në përputhje me autoritetet tona kombëtare do të marrim masa”, ka thënë Gjuriq.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka marrë një vendim që t’ia ndalojë hyrjen në territorin e Kosovës drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, njofton Gazeta Online Insajderi.

Të dielën zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës e kanë konfirmuar ndalesën për Marko Gjuriq, por nuk kanë dhënë hollësi të tjera.

Gjuriq është ndaluar nga Policia e Kosovës, pak ditë më parë në Graçanicë, 5 kilometra në jug të Prishtinës, por u lirua pas ndërmjetësimeve.

Zyrtarët në Prishtinë thanë se Gjuriq ka shpërdoruar vizitën “duke bërë deklarata politike”, sado që atij i është dhënë leja për të hyrë në Kosovë. 

Komentoni