Rajoni

Gjirokastër: Përplaset autobusi, 12 pasagjerë përfundojnë në spital

Një autobus me 41 pasagjerë në të është aksidentuar mëngjesin e sotëm aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, në vendin e quajtur si Uji i Ftohtë, një segment tejet problematik, ku drejtuesi i autobusit Ilia Silos rreth 50 vjeç ka humbur kontrollin e mjetit. Autobusi ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

“Në orën 04:40 njoftohemi se në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, në një kthesë, autobusi i linjës Tiranë -Athinë, me targa TR5631U, me drejtues shtetasin I.F, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ku si pasojë janë lënduar 28 pasagjerë, ndër të cilët një fëmijë 1 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pasagjerët janë transportuar në Spitalin rajonal Gjirokastër ku nga 28 pasagjerë të lënduar vetëm 12 prej tyre ndodhen në spital për ndihmë të mëtejshme mjekësore, ndërsa të tjerë pas marrjes së ndihmës së parë janë larguar nga Spitali. Të gjithë shtetasit e dëmtuar janë jashtë rrezikut për jetën. Në autobus kanë qenë 41 pasagjerë. Shoferi i autobusit është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme. Po punohet për përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Komentoni