Sport

Gjilani e mposhti kampionin, Drenica fitoi si mysafire

Janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 2-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Në katër ndeshje fitoreve iu gëzuan skuadrat vendase, derisa fitoren e vetme si mysafire e shënoi skuadra e Drenicës, e cila shënoi fitore në kryeqytet kundër Hajvalisë, me rezultat 1:0. Golin e fitores për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Drilon Osmani, në minutën e 84-t.

Ndërkohë, Gjilani ka shënuar fitore para tifozëve të vet, duke e mposhtur skuadrën kampione në fuqi, Feronikelin, me rezultat 2:1. Isa Eminhaziri kaloi vendasit në epërsi në minutën e 48-të. Feronikeli i barazoi shifrat në minutën e 88-të me golin e Besnik Krasniqit pas asistimit të Mentor Zhdrellës, por vetëm dy minuta më vonë gjilanasit e rikthyen epërsinë me golin e Betim Haxhimusës, duke arkëtuar tri pikët e para në këtë edicion dhe duke ia shkaktuar humbjen e dytë radhazi kampionëve në fuqi.

Fitoren e dytë në këtë edicion e shënoi Trepça’89, e cila e mposhti Dritën, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Shpëtim Idrizi nga penalltia, në minutën e 82-të.

Tri pikë të reja i ka arkëtuar edhe Besa, e cila e ka mundur Ferizajn në stadiumin “Shahin Haxhiislami”, me rezultat 2:0. Mirsad Idrizi shënoi autogol në minutën e 43-të, derisa Qemail Elshani e vulosi fitoren e pejanëve në minutën e 59-të.

Ndërkohë, Llapi shijoi fitoren e parë në këtë edicion, duke e mposhtur Trepçën, me rezultat 2:1. Florim Berbatovci në minutën e 2-të dhe Egzon Sinani në minutën e 88-të shënuan për llapjanët, kurse për mysafirët realizoi Emin Baliqi, në minutën e 78-të.
Vala Superliga: Java e 2-të:
Liria – Prishtina                                    1-2
Gjilani – Feronikeli                               2-1
Trepça ‘89 – Drita                                1-0
Llapi – Trepça                                     2-1
Besa – Ferizaj                                     2-0
Hajvalia – Drenica                                0-1

Liga e Parë: Java 1
KEK-u – Vushtrria                                   1-0

Ballkani – Ramiz Sadiku                                 1-0
Fushë Kosova – Vitia                                     3-0
Istogu – Vëllaznimi                                  3-3
Ulpiana – Flamurtari                                1-1
Rahoveci – Kosova (P)                            1-2
Dukagjini – Vllaznia (P)                           1-1
Deçani – 2 Korriku                                  1-1 /KI/

Komentoni