LifeStyle

Gjërat të cilat janë pothuajse po aq vdekjeprurëse sa edhe pirja e duhanit, sipas shkencës

Pirja e duhanit, një nga shprehitë më së paku të shëndetshme, po zhduket shpejt në Shtetet e Bashkuara. Norma e të rriturve amerikanë që pinë duhan ka rënë nga 42 për qind sa ishte në vitin 1965 në 15 për qind në vitin 2015.

Sidoqoftë, ekzistojnë edhe një varg faktorësh rreziku që e zënë vendin e tij, shumë prej të cilave rrjedhin nga preferencat në rritje të njerëzve për mënyrën joaktive dhe të izoluar të jetesës, transmeton Koha.net. Derisa pirja e duhanit po zhduket në SHBA, në vijim ju sjellim faktorët e rrezikut nga të cilët shkenca thotë se duhet të kemi kujdes.

Vetmia

Rritja e rrjeteve shoqërore dhe zvogëlimi i kontaktit personal e ka shtyrë ish-kirurgun e përgjithshëm Vivek Murthy që ta etiketojë vetminë si një epidemi mbarëbotërore. Dhe ajo mund të jetë vdekjeprurëse.

Julianne Holt-Lunstad, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin Brigham Young, ka konstatuar në hulumtimin e saj se vetmia e redukton jetën e njerëzve sa ekuivalenti i pirjes së 15 cigareve në ditë.

Qëndrimi i ulur

Qëndrimi i ulur gjithë ditën e rrit rrezikun për një varg kanceresh të ndryshme, u zbulua në një studim të vitit 2014.

Hulumtuesit përfshinë në meta-analizat e tyre –standardin e artë të hulumtimit – të dhëna nga katër milionë njerëz duke përfshirë sa shpesh qëndrojnë ulur për ta shikuar televizorin, për të punuar dhe për të lëvizur.

Çdo dy orë të qëndrimit ulur i rrit rreziqet për kancerin e zorrës së trashë, atë endometrial dhe të mushkërive, pavarësisht nëse ata ende ushtrojnë gjatë ditës.

Mungesa e gjumit

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e kanë quajtur privimin e gjumit një problem të shëndetit publik, pasi që 50 deri në 70 milionë njerëz në SHBA kanë çrregullime të gjumit ose pagjumësi.

Profesori Valery Gafarov, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vitin 2015 theksoi se gjumi i pamjaftueshëm e ngrit rrezikun prej goditjes në tru dhe sulmit në zemër në nivele të ngjashme sa edhe përdorimi i rregullt i cigareve.

“Gjumi i dobët duhet të konsiderohet një faktor i modifikueshëm rreziku për sëmundjen kardiovaskulare së bashku me pirjen e duhanit, mungesën e ushtrimeve dhe dietën e dobët”, tha ai.

Rrezitja në solarium

Rrezitja në hapësira të brendshme mund të duket si një version më i kontrolluar i rrezitjes në diell, por të dyja janë potencialisht më të rrezikshme se pirja e duhanit.

Në vitin 2014, hulumtuesit e publikuan një studim në JAMA, i cili zbuloi se vetëm rrezitja në hapësira të brendshme çoi në më shumë raste të kancerit të lëkurës sesa që bëri pirja e duhanit me kancerin e mushkërive.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të rasteve të kancerit të lëkurës që i atribuohen rrezitjes në hapësira të brendshme, këto gjetje e nxjerrin në pah një çështje të rëndësishme të shëndetit publik”, shkruanin hetuesit, përcjell Koha.net.

Dieta e dobët

Një grumbull i madh i provave ka zbuluar se ushqimet e përpunuara me sheqer, me nivele të larta të yndyrave të ngopura, mund t’i ekspozojnë njerëzit ndaj sëmundjeve potencialisht fatale me norma të ngjashme, nëse jo edhe më të mëdha, sesa pirja e duhanit.

Në vitin 2016, studiuesit e rrezikut të vdekshmërisë nga dieta e dobët erdhën në përfundim se normat e vdekjes i tejkalojnë ato të kombinuara të alkoolit, drogës, seksit të pambrojtur dhe duhanit.

Komentoni