Kosova

Gecaj: Opozita nuk mund të vendos kushte për Demarkacionin

Kërkesa e partive opozitare qe marrëveshja për demarkacionin të kthehet në pikën zero, po cilësohet si kusht i papranueshëm për qeveritarët.

Në Qeverinë e Kosovës, thonë se opozita nuk mund të qesë kushte. 

Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, thotë se para se Qeveria t’i dërgoj ftesa liderëve të opozitës, opozitarët duhet të tregoj vullnet për mbajtjen e një takimi mes liderëve.

“Ftesa veç e veç nuk kemi dërguar. Opozita duhet të tregoj vullnet për tu takuar sepse në disa prononcime ata kanë shprehur gatishmëri e në disa kanë thënë se nuk do të ulën për sa kohë që marrëveshja nuk kthehet në pikën zero. Pra, nuk ka takime me kushte. Ne duhet të ulemi e të bisedojmë pa kushte. Nuk mund të caktojnë kushte”, ka thënë Gecaj për Indeksonline.

I pyetur se kur pritet të ndodhë ky takim mes liderëve, Gecaj ka thënë se ftesa publike është bërë nga New Yorku. Qeveria sipas tij, është e interesuar të ulët me opozitën dhe të diskutojnë për këtë çështje.

“Jemi shumë të interesuar qe të ulemi me opozitën dhe të diskutojmë për këtë çështje për të gjetur një zgjidhje të përbashkët sepse këto janë çështje shtetërore e jo partiake. Se kur do të ndodhë është herët më thënë pasi kryeministri dje ka ardhur”, ka theksuar Gecaj.

Ai ka thënë se do të ishte mirë që gjatë muajit tetor t’i jepet epilog përfundimtar këtij procesi, sepse nga kjo varët edhe procesi i liberalizimit të vizave që është çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Komentoni