Ekonomi

GAP: Falja e borxheve nuk mund të bëhet pa aprovimin e Kuvendit të Kosovës

Me 3 tetor 2017, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës që nga viti 2008. Duke u bazuar në argumentet e cekura më poshtë, GSJP, INDEP dhe Instituti GAP kundërshtojnë këtë vendim duke e cilësuar si të kundërligjshëm, të padrejtë dhe i cili dëmton qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave dhe buxhetin e Kosovës.

  • Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore.
  • Falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”. Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës.
  • Përveç këtij neni, është shkelur parimi i përfshirjes në diskutim të palëve të interesit nga po i njëjti ligj. Sipas këtij parimi “organet kompetente janë të detyruara që të sigurojnë, që në procedurën për miratimin e dispozitave, dokumenteve strategjike, plan – programeve dhe vendimeve të marrin parasysh interesat e palëve të interesuara”.
  • Në procesin e marrjes së këtij vendimi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe qartazi janë përjashtuar akterë tejet të rëndësishëm në këtë proces siç janë: Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisioni Parlamentarpër Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shoqëria civile, etj. Ky vendim gjithashtu paraqet ndërhyrje të qeverisë në kompetencat e gjyqësorit, kjo për arsye se mediat kanë raportuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtruar padi ndaj disa prej borxhlinjve të lartcekur.
  • Përveç se i kundërligjshëm, vendimi për faljen e borxheve cenon edhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave. Në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës mjetet financiare për administrimin, menaxhimin dhe zhvillimin e ujërave sigurohen pikërisht nga pagesat si ato të ambalazhuesve të ujit dhe të shfrytëzuesve tjerë. Sa për ilustrim, borxhi i falur është në vlerë prej rreth 51 milionë euro, ndërsa buxheti për investime kapitale i MMPH-së për vitin 2017 është rreth 46 milionë euro. Rritja e buxhetit për këtë sektor do të ndihmonte që të ndërmerren masat e nevojshme që menaxhimi i ujërave në Kosovë të përmirësohet.
  • Falja e borxheve në mënyrë arbitrare dërgon mesazh negativ tek sektori privat dhe dëmton të hyrat buxhetore të buxhetit të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në këtë vendim ad-hoc, shumë biznese do të hezitojnë t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe kështu borxhet e tyre do të grumbullohen dhe bëhen të papërballueshme. Në anën tjetër, institucionet publike do të kenë në vazhdimësi mungesë të të hyrave buxhetore.

Duke marrë parasysh të gjitha këto argumente, Instituti GAP, INDEP dhe GSJP kërkojnë që vendimi për faljen e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit të revokohet. Në mënyrë që të balancohen kërkesat dhe nevojat, si të sektorit të ujërave ashtu edhe të prodhuesve të ujit, i njëjti vendim duhet të hidhet në diskutim publik me të gjithë akterët relevant, si dhe një vendim eventual duhet të marr aprovimin e Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror i cili autorizon grumbullimin e të hyrave dhe ndarjen e shpenzimeve buxhetore.

Njëkohësisht, INDEP, GSJP dhe Instituti GAP i bëjnë thirrje Prokurorisë së Kosovës të fillojë hetimin e personave dhe zyrtarëve të përfshirë në këtë vendim të jashtëligjshëm dhe motivet financiare të këtij vendimi. /KI/

Komentoni