Kosova

Gabriel viziton Prishtinën dhe Beogradin

Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel (SPD) ka nisur sot një vizitë dyditore në Ballkan. Së pari do të vizitojë Beogradin e më pas edhe Prishtinën.

Qëllimi kryesor i vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel në Serbi dhe Kosovë, në radhë të parë, është Strategjia e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por edhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Gabriel ka mbërritur në Beograd ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq, me të cilin para gazetarëve do të publikojnë rezultatet e takimit dhe qëndrimet e palëve. Ndërsa pasdite Gabriel niset për në Kosovë ku do të takohet me autoritetet e atjeshme.

Strategjia e BE-së

Tema kryesore e takimeve është qëndrimi gjerman ndaj Strategjisë së re të BE, për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia parashikon që Serbia dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE, deri në vitin 2025. Por Serbia përveç realizimit të kapitujve të tjerë, duhet të nënshkruajë një marrëveshje obliguese juridike për normalizimin e raporteve me Kosovën. Brukseli është kundër anëtarësimit të vendeve të cilat kanë probleme territoriale mes vete. Sa i përket Kosovës, Gabriel do ta vizitojë ate në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, të cilën sipas të dhënave zyrtare, e kanë njohur 114 vende.

Ndërmjetësimi

Bashkimi Evropian dhe Gjermania janë ndër sponsorët kryesorë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes këtyre vendeve. Dialogu është ndërprerë së fundi për shkak të vrasjes së Oliver Ivaqnoviqit, por pritet të vazhdojë. Ndërsa marrëveshja për normalizimin e raporteve pritet të nënshkruhet deri në fund të vitit 2019

gjerman do të shkojë për vizitë edhe në Bullgari ku do të takohet me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE, e të premten dhe në fundjavë do të jetë prezent edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku do të jenë edhe shumë politikanë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vizita e fundit?

Në Partinë Socialdemokrate (SPD) kanë ndodhur kohët e fundit ndryshime dhe turbulenca të mëdha, ku ka qenë i përfshirë edhe vet ministri Gabriel. Ndaj është shumë e mundur që kjo të jetë edhe vizita e tij e fundit në këtë rajon si ministër i Jashtëm. Fillimisht është thënë se shefi i diplomacisë gjermane në katër vitet e ardhshme do të jetë Martin Schulz, por ai është tërhequr nga synimi për të marrë këtë post, pas presioneve të mëdha brenda partisë SPD. Ndërkohë që as Gabriel nuk është i sigurt se do të vazhdojë të qëndrojë në postin e ministrit të Jashtëm, sepse edhe ai ka qenë pjesë e mosmarrëveshjeve. Për këtë do të vendoset pas deklarimit të anëtarësisë  së SPD për vazhdimin apo jo të koalicionin me CDU/CSU. /DW/

 

Komentoni