Bota

G7: Bashkëpunim me kompanitë për luftimin e ekstremizmit në Internet

Qeveritë e vendeve të Grupit të shtatë vendeve të zhvilluara industrialisht (G7), thonë se do të punojnë së bashku me gjigantët globalë të teknologjisë në përpjekje për ta bllokuar përhapjen e propagandës në Internet nga grupet ekstremiste islamike.

Ministri i brendshëm i Italisë, Marco Minniti, tha mbrëmë se me këto përpjekje do të goditen ekstremistët të cilën në Internet bëjnë “rekrutim, stërvitje dhe radikalizëm”.

Pjesa më e madhe e kësaj lufte do të bëhet kundër luftëtarëve evropianë “që kthehen në shtëpi” pas humbjeve që i kanë pësuar militantët e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Ministrat e G7-tës thanë se qeveritë do t’i mbështesin përpjekjet e rrjeteve, Facebook, Google, Twitter dhe YouTube, të cilat në qershor të këtij viti e kanë formuar Forumin Global në Internet për Luftimin e Terrorizmit.

Duke folur pas takimit dyditor në Romë të Italisë, ministri Minniti tha se përpjekja është hapi i parë në krijimin e “aleancës së madhe” ndërmjet qeverive dhe gjigantëve teknikë globalë për luftimin e ekstremizmit.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe udhëheqësit e kompanive, Facebook, Google, Twitter dhe Microsoft.

G7-ta përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Komentoni