Lajme

Fuqizimi i sundimit të ligjit, element kyç për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve

Në vazhdën e vizitës në Britaninë e Madhe, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, sot është takuar me Drejtoreshën e Zyrës për Ballkanin Perëndimor, Fiona Mcilwham. Në takim, Ministrja Hoxha njoftoi znj. Mcilwham për gjendjen ekzistuese në sektorin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Hoxha njoftoi znj. Mcilwham për prioritetet dhe objektivat e Ministrisë së Drejtësisë të përcaktuara gjatë mandatit të saj në krye të këtij institucioni. Ndër të tjera, Ministrja Hoxha vuri theks të veçantë në nevojën për reformimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë, qoftë përmes reformave legjislative apo përpjekjeve më të mëdha për të fuqizuar zbatimin e ligjit.  Ministrja Hoxha, vuri në pah rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit, si një ndër elementet kyçe për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve.

Znj. Mcilwham, shprehu përkushtimin e Zyrës për Ballkanin Perëndimor për të mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në rrugën drejt reformimit të mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit. Znj. Mcilwham, vlerësoi lartë përkushtimin e Ministres Hoxha dhe konsideroi se përkushtimi i saj për të fuqizuar sundimin e ligjit është qenësore për progresin në këtë sektor.

Ministrja Hoxha po qëndron në Londër me ftesë të Sekretares së Shtetit për Drejtësi të Britanisë së Madhe, Liz Truss. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*