Lajme

FSK-ja pjesë e ushtrimit fushor “Joint effort 16” në Shqipëri

Një kontingjent i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u dislokua për në Republikën e Shqipërisë për të marrë pjesë në ushtrimin fushor “Joint Effort 16”.

Para nisjes për Shqipëri pjesëtarët u rreshtuan në pistën e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, me ç‘rast për t’i përshëndetur dhe për t’ju uruar suksese gjatë këtij ushtrimi kishin dalë Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zv. Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore ( KFT) gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe u.d i Komandantit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë kolonel Xhevahir Geci .

Gjeneral Rama përshëndeti të gjithë pjesëtarët, të cilët do të marrin pjesë në këtë ushtrim dhe njëherësh kërkoi nga ta angazhim maksimal dhe përfaqësim sa më të mirë të vendit tonë. “ Kërkoj nga ju që të angazhoheni maksimalisht gjatë këtij ushtrimi, dhe pas përfundimit të tij pres që të kemi një raport të mirë të përfaqësimit tuaj sa më dinjitoz të FSK-së dhe vendit tonë në përgjithësi”.

Kontingjenti i FSK-së prej 36 pjesëtarëve do t’i bashkëngjitet një Batalioni të Ushtrisë së Shqipërisë në ushtrimi fushor “Joint Effort 16”, i cili do të realizohet në periudhën kohore 19-29 shtator 2016, ku pritet të marrin pjesë disa shtete. 

Ky ushtrim më karakter ndërkombëtar organizohet nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe do të jetë ushtrim i mbështetur me kompjuter (Simulativ) dhe operacione fushore, dhe do të zhvillohet nga të gjitha komponentët (tokësore, ajrore dhe detare) duke përfshirë pjesën reale dhe atë simulative.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*